Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore nga Kremlini është më i larti në gjashtë dekadat e fundit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë kërcënime të fshehta për të përdorur arsenalin e tij bërthamor në Ukrainë, dhe Bideni u tha mediave amerikane më 6 tetor se Putini “nuk po bënte shaka”.
“Ne nuk jemi përballur me mundësinë e Armagedonit që nga koha e [presidentit amerikan John] Kennedy dhe krizës së raketave kubane në vitin 1962”, tha Biden në Nju Jork.
Në vitin 1962, Shtetet e Bashkuara nën John Kennedyn dhe Bashkimi Sovjetik nën udhëheqësin e tij, Nikita Hrushovin, iu afruan përdorimit të armëve bërthamore për shkak të pranisë së raketave sovjetike në Kubë.
Javën e kaluar, Putini nënshkroi dekretet për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, në kundërshtim me Ligjin ndërkombëtarë. Ky veprim u dënua nga ShBA-ja dhe Perëndimi.
Ai tha më pas se Moska do t’i shihte sulmet e Ukrainës në katër rajonet e aneksuara si sulme ndaj vetë Rusisë, dhe do të përdorte të gjitha mjetet për t’i mbrojtur ato.
Çka është kriza e raketave kubane?
Më 14 tetor 1962, fotografitë e marra nga një avion amerikan përgjimi treguan praninë e armëve bërthamore sovjetike në Kubë.
Presidenti amerikan, John Kennedy, mblodhi një grup ekspertësh për të marrë një vendim për hapat e mëtejshëm. Grupi mbajti konsultime të fshehta për disa ditë. Në fillim ekspertët ishin në favor të goditjeve ajrore, pasuar nga një ndërhyrje tokësore, por menduan se një gjë e tillë do ta bënte të pashmangshme luftën bërthamore.
Presidenti Kennedy foli për këtë në një fjalim para kombit në televizion, më 22 tetor 1962.
“Do të jetë politika e këtij vendi që ta konsiderojë çdo raketë bërthamore të lëshuar nga Kuba kundër cilitdo vend të hemisferës Perëndimore, një sulm nga Bashkimi Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, që kërkon një kundërveprim të plotë ndaj Bashkimit Sovjetik”.
Dy ditë më pas, anijet sovjetike iu afruan vijës bllokuese dhe ndaluan.
Bllokada detare ndaj Kubës funksionoi, por tensionet u rritën ndërsa Moska vashdoi t’i aktivizonte raketat që ishin në Kubë.
Më 26 tetor 1962, presidenti Kennedy mori një mesazh nga Hrushovi, që ofronte t’i tërhiqte raketat nga Kuba, në këmbim të garancive që Uashingtoni as nuk do ta pushtonte atë vend, as nuk do të përmbyste Fidel Castron.
Para se të përgjigjej Kennedy mori një letër tjetër nga Hrushovi. Oferta këtë herë ishte që ShBA-ja të tërhiqte raketat nga Turqia në këmbim të tërheqjes së raketave sovjetike nga Kuba.
Kennedy dhe këshilltarët e tij vendosën ta shpërfillnin letrën e dytë dhe ranë dakord të përfshinin përmbajtjen e letrës së parë në një propozim të ri.
“Propozimi kishte tre elementë. I pari ishte një marrëveshje publike që përputhej me përmbajtjen e letrës së parë, pra tërheqje e raketave nga sovjetikët nëse Shtetet e Bashkuara nuk sulmonin Kubën. Kishte një ultimatum privat, ku thuhej që ShBA-të donin një përgjigje brenda 24 orësh ose përndryshe do të vepronin. Elementi i tretë, ishte mesazhi që ShBA-të nuk ishin të gatshme të bënin një marrëveshje për raketat në Turqi. Por, shtonte se nëse raketat tërhiqeshin nga Kuba, brenda gjashtë muajsh nuk do të kishte më raketa në Turqi”.
Më 28 tetor, Nikita Hrushov deklaroi në radio Moska se Bashkimi Sovjetik e pranonte ofertën amerikane dhe do të tërhiqte raketat nga Kuba.
Në mes të nëntorit 1962, të gjitha raketat sovjetike ishin tërhequr nga Kuba. Dhe në prill të vitit pasues, në bazë të marrëveshjes sekrete, të gjitha raketat amerikane u hoqën nga Turqia.