Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e Martin Berishaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, për shtyrjen e datës për intervistim nga Komisioni hetimor parlamentar.
Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, tha se me 8 nëntor i kanë dërguar ftesë për të dëshmuar para komisionit parlamentar, por Berishaj përmes një e-maili ka njoftuar se ka takime me ambasadorë, prandaj ka kërkuar shtyrje të datës teksa ka thënë se ka gatishmëri për t’u përgjigjur ftesës.
Por Selmanaj ka thënë se datat e kërkuar janë shumë vonë derisa ka kërkuar datën 20 nëntor si të fundit.
Kurse anëtari tjetër i Komisionit, Ferat Shala, tha se ka kërkuar të intervistohet një person tjetër. “Kam një kërkesë që ta intervistojmë Besim Imeri, ish-udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, sepse është akter kyç që ka informacione për sektorin energjetik. Asgjë nuk ka që cenon përgjegjësinë tonë si komision nëse hetojmë një ambasador jashtë shteti e mos ta intervistojmë një qytetar brenda shteti”, tha ai, raporton RTKlive.,
Ndërkaq anëtari tjetër i Komisionit, Abelard Tahiri, tha se personi në fjalë është nënshkrues i 3 memorandumeve të cilat kanë rezultuar me transferin e 20 milionë eurove dhe i cili ka dhenë dorëheqje. “Korporata nuk i raporton ministrisë por kësaj njësie, të premten e ardhshme t’i intervistojmë të dytë dhe të jenë intervistat e fundit. Ky person ka heshtur akuza, nuk mendoj që duhet të kemi hezitim ta ftojmë një person kyç”, tha ai.
Ndërsa anëtarja e Komisionit, Jeta Statocvi, tha se duhet të sqarohet se a do të jetë intervista me prezencë fizike.
Kurse Selmanaj, tha se nuk sheh pengesë, dhe se kanë mundësi ta zbardhet si komision dhe se Besim Imerin ta bëhet pjesë te listës për intervistimi. Për këtë çështje pati edhe një votim, për të cilën nuk pati kuorum, pasi që vetëm 5 vota ishin për intervistimin e Besim Imerit.
Kreu i Komisionit, Driton Selmanaj ftoj një takim konsultativ për javën e ardhshme. Selmanaj kërkoi që nga java e ardhme të kërkohet edhe një muaj shtesë për hartimin e raportit por jo për aktivitete të tjera.
Ndërsa Jeta Statovci, kërkoi që kjo pikë të diskutohet në mbledhjen tjetër për shkak të mungesës së disa deputeteve. Komisioni do të takohet të premten e ardhshme.
Pas takimit anëtari tjetër i Komisionit, Abelard Tahiri, tha para mediave se duhet të dëshmojë Besim Imerit, pasi që është person kyç. Sipas tij ka vendosmëri nga pushteti që Imeri të mos dëshmoj në Komisionin Hetimor. Ai tha se do të insistojnë ta intervistojnë Imerin.