Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar sot për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.
Kryetarja e këtij forumi, Jehona Lushaku në një konferencë për media, tha se është nevojë urgjente reagimi i institucioneve pas vrasjes së gruas shtatzënë.
Lushaku ka kërkuar që të shkarkohen të gjithë personat përgjegjës që nuk ofruan siguri për shtatzënën që mbeti e vrarë në prag të lindjes.
“Jemi këtu për të shprehur indinjatën tonë për vrasjen makabre ku burri vrau gruan shtatzënë në oborrin e QKUK-së. I shpreh ngushëllime familjes për humbjen e Hamides”, tha Lushaku, sipas të cilës, krimet si ky, shpërfaqin dështimin e shumë hallkave të shtetit të Kosovës për të siguruar jetën e grave.
“Kjo nuk po ndodhë për herë të parë. Familja ka kërkuar ndihmën e shtetit dhe shteti ka dështuar që t’ia ofrojë atë. Ajo shkoi në spital për të ofruar jetë, kurse në spitalin publik për të cilin shteti është përgjegjës humbi jetën e saj. Hamidja është viktimë e shumëfishtë e sistemit tonë shtetëror, viktimë për faktin që burri i saj u la i lirë nga sistemi i drejtësisë, është viktimë për faktin që urdhër-mbrojtja që ju caktua nga shteti jo vetëm që rezultoi joefektive, por ja dëshmoi se sa i pa aftë është shteti jonë për t’i mbrojtë viktimat e dhunës”, nënvizoi ajo .
Sipas saj, kjo situatë përveç që është alarmante, është edhe urgjencë kombëtare.
“Kërkojmë shkarkimin e personave përgjegjës. Qeveria të sigurojë pajisje elektronike për të monitoruar personat e ndaluar. Kryeministri ta kuptojë rolin e tij dhe të mos i ikë përgjegjësisë sepse ministritë e linjës janë përgjegjëse”, shtoi ajo. /Kosovatimes/