Nga KE-ja thanë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe se mbështesin fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian dhe ne, absolutisht, e mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon [v.j. Ballkanin Perëndimor]”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, raporton REL.

E për këtë përmirësim të qëndrimit të KE-së në lidhje me këtë çështje,  Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, duke publikuar linkun e lajmit, ka lënë të nënkuptohet se ishte biseda e sotme në Tiranë mes presidentes Osmani dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që ka dhënë rezultate.

“Pas bisedës së sotme të Presidentes Vjosa Osmani me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë”, ka shkruar Vela, duke shpërndarë një lajm për zotimin e KE-së se do të përmirësojë këtë.

Pasusi i lartpërmendur në raportin e KE-së, është shoqëruar me arsyetimin se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me ato të BE-së.

Shtetasit e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në këto dy shtete, por jo edhe në ato të Bashkimit Evropian, që përbëjnë pjesën më të madhe të zonës me lëvizje të lirë, të njohur si Schengen.

Megjithatë, javën e kaluar, zyrtarë të BE-së kanë miratuar një vendim, sipas të cilit, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen do të hyjë në fuqi jo më larg se më 1 janar të vitit 2024.