“Kam përshtypjen se asnjëra nga palët, Beogradi apo Prishtina, nuk kanë vendosur se duan ta zgjidhin problemin. Dhe kjo më shqetëson”, thotë Robert Cooper, ish-ndërmjetësues në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai foli për Zërin e Amerikës menjëherë pas një serie vizitash të emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak në Serbi e Kosovë – i cili bisedoi me liderët e të dy vendeve, Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti.
Robert Cooper thotë se ka përshtypjen se Serbia dhe Kosova, janë krejtësisht të kënaqur me faktin se ka një problem mes tyre.
“Duket se ata nuk shohin ndonjë rrezik të veçantë në këtë dhe nuk shqetësohen”, tha ai.
“Sikur u gëzohen vëmendjes mediatike, deklaratave bombastike dhe shfaqjes së gjoja forcës”.
Cooper u shpreh se në anën tjetër, duke mos arritur një marrëveshje, në fakt Kurti e Vuçiq tregojnë se sa të dobët janë, transmeton RTKlive.
Diplomati britanik tani në pension, i cili kaloi një pjesë të karrierës së tij në disa misione diplomatike britanike, ndër të tjera në Tokio dhe Bonn kurse gjatë vitit 2002, shërbeu si i dërguar i posaçëm britanik në Afganistan, në periudhën ndërmjet viteve 2011 dhe 2012, ndërmjetësoi bisedimet teknike mes Kosovës e Serbisë.
Këto bisedime filluan pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas kërkesës së Serbisë – në vitin 2010 vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.
Pas këtij vendimi, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që ftonte Serbinë dhe Kosovën në dialog për inkurajimin e bashkëpunimit – i cili, siç u tha, do të siguronte përparimin e të dy palëve në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe jetë më të mirë për qytetarët e tyre, transmeton RTKlive.
Në të njëjtin vit, ai iu bashkua administratës së Bashkimit Evropian – duke punuar në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së, si dhe në Shërbimin Evropian për Çështjet e Jashtme, gjatë mandateve të ish-Përfaqësuesve të Lartë të BE-së, Javier Solana dhe Catherine Ashton.
Tani, Cooper e sheh si një mundësi të shkëlqyer mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, bazuar në propozimin franko-gjerman të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
“Kjo do të ishte e mrekullueshme – megjithëse nuk jam i sigurt se cilat janë detajet e një propozimi të tillë”, ka thënë Cooper për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
“Ka shumë prej tyre që qarkullojnë – propozime të shumta janë testuar në publik”.
“Kohë më parë është arritur marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe – që dukej si një mënyrë e arsyeshme për t’iu qasur çështjes së serbëve në Kosovë”, thotë Cooper në këtë intervistë – duke shtuar se nuk është i sigurt nëse palët në proces janë të gatshme për një gjë të tillë.