Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se “ushtria serbe është e gatshme të kryejë çdo detyrë për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe të të gjithë qytetarëve të saj”.
Me këtë deklaratë, ai aludoi në territorin e Republikës së Kosovës – shtet i pavarur qysh në vitin 2008, por të cilin Serbia nuk e njeh.
Beogradi zyrtar, qysh më 8 dhjetor, ka paralajmëruar se është duke shqyrtuar dërgimin e forcave të tij në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Paralajmërimi është bërë pasi Policia e Kosovës ka rritur praninë në veri të vendit, ku ditëve të fundit ka pasur tensione dhe incidente me armë zjarri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se Qeveria e tij, më 15 dhjetor, do të dërgojë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, për vendosjen e forcave serbe në Kosovë.