Pas një debati disa orësh, Kuvendi ka mbyllur punimet për sot, por pa arritur të kalojë Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031, meqë për këtë nuk pati kuorum.
Vetëm 58 deputet votuan për këtë dokument në Kuvendin e Republikës, numra të cilët nuk ishin të mjaftueshëm për vendimmarrje.
Deputetët do të kthehen në sallë plenare sërish të premten nga ora 11: 00 ku si pikë e parë do të rivendoset në votim Strategjia e Energjisë pastaj do të hapet seanca e re, kështu bëri të ditur kryeparlamentari, Glauk Konjufca
Seanca që do të vazhdojë të premten ka të parapara 12 pika ndër to edhe debatin parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022.
Ministrja Rizvanolli paraqiti strategjinë e cila sipas saj përcakton drejtimet dhe veprimet themelore për zhvillimin e energjisë gjatë 10 vjetët e ardhshëm.
“Sipas ligjit në fuqi plani i veprimit të strategjisë që përcakton masat aktivitetet dhe projektet specifike për periudhë tre vjeçare do të publikohet për konsultime publike pas miratimit të strategjisë për t’u miratuar në Qeveri”, tha mes tjerash ministrja Rizvanolli.
Ajo falënderoi institucionet ndërkombëtare, sidomos ato amerikane e hungareze për mbështetje në këtë strategji të veprimit.
Ministrja Rizvanolli u shpreh se me këtë strategji po ofrohen zgjidhje të reja ku ndërthuren të tashmen të sistemit me të ardhmen ku planifikojmë të shkojmë, në një horizont të jashtëzakonshëm të zhvillimeve teknologjike përballë zhvillimeve politike, ekonomike dhe të krizës energjetike.
Ajo përmendi edhe sistemin e ngrohjes, por edhe siç u shpreh ajo, “drejtësi sociale”, ku siguron qasjen në sektorin e energjisë me ksoto të përballueshme
Rizvanolli premtoi se do të ketë skema të reja për konsumatorët në nevojë.
Ajo, në fund të fjalës, ftoi deputetët ta miratojnë këtë strategji që sjell një energji më të fortë e më të pastër.