Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se ndonëse ishte gjyqtari ai i cili “liroi” një person, ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai i cili sipas tij, “i amnistoi të gjithë”.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka thënë se në prag të gjërave që ndodhin, është arrogance e Kurtit ajo që vihet re e që sipas tij, punon në “përshpejtimin” e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kryeministri amnestoi të gjithë. Sot, çka përbën lajm nuk është lirimi në arrest shtëpiak i Pantiqit, por garancia dhe ndërhyrja e kreut të shtetit te organet e drejtësisë që të mos ketë ndjekje ligjore për ata që vendosen barrikadat. Vendimi i parë po konsiderohet tradhti, ndërsa vendimi i dytë heroizëm. Në fund të ditës, gjyqtari “liroi” NJË. Por ama kryeministri i amnestoi TË GJITHË. Mbani mend, si rregull, sa herë bëhet një koncesion apo planifikohet të ndodh, së pari do t’i dëgjojmë sulmet dhe arrogancën nga kryeministri. Çdo lëshim pe nga pozicionet fillestare, pasohet me tensione dhe akuza. Ato janë lajmëtaret e para. Krejt kjo situatë punon për orën e Asociacionit. Dhe sa më shumë këso skena e skenare, aq më e paevitueshme ndarja etnike – territoriale. Kurti këtë e dinë i pari”, ka shkruar Molliqaj. /Kosovatimes/