Erërat e forta që frynë dje në Istog kanë dëmtuar pjesën me të madhe të çatisë së palestrës së sporteve në këtë komunë.
Si pasojë e kësaj, sipas KHF Istogu, rrezikohen të ndërpriten të gjitha aktivitetet sportive në këtë palestër.
“Skuadra jonë ka edhe akademinë e hendbollit në total rreth 100 anëtarë të gjitha gjeneratat së bashku, dhe mund të mos kemi ku t’i zhvillojmë aktivitetet tona ditët në vazhdim, po ashtu edhe klubet tjera të qytetit, si: Klubi i hendbollit i meshkujve, klubi i basketbollit meshkuj dhe femra, klubi i pingpongut dhe klubet tjera, në total mbi 250 sportistë të qytetit rrezikojnë të mbetën në mëshirën e fatit, mos të harrojmë që në këtë palestër janë zhvilluar shumë gara të rëndësishme edhe ndërkombëtare qoftë të KHF Istogut, ashtu edhe te Kombëtarja e Hendbollit që në këtë palestër ka arritur rezultatet historike”, ka shkruar KHF Istogu në Facebook.
Më 16 shkurt planifikohet të zhvillohet Superkupa e Kosovës në hendboll, ndërsa kombëtarja e hendbollit e femrave më 12 prill zhvillon ndeshjen më të rëndësishme të vitit për kualifikim në kampionat botëror të hendbollit kundër Polonisë, pikërisht e caktuar të zhvillohet në këtë palestër, andaj klubi I hendbollit Istogu apelon të gjitha institucionet sportive në vend, si dhe ato të pushtetit lokal dhe atij qendror që t’i dilet në ndihmë urgjentisht komunitetit të sportit në Istog dhe atij në Kosovë në përgjithësi duke ndërmarrë masa urgjente në sanimin e dëmeve të shkaktuara.
Leave a comment