Në përshëndetjen e saj, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Izrael, Ines Demiri theksoi rëndësinë e kësaj ditë të veçantë për qytetarët e Kosovës që njëherit përkon me dy vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Ndër të tjera, edhe si mbesë hebreje, znj. Ines Demiri para të pranishmëve theksova se askush nuk mund ta kuptojë Kosovën më mirë se Izraeli, ndjenjat dhe sfidat e ndërtimit të një shteti modern, demokratik e të lulëzuar nga fillimi.

Demiri theksoi se edhe për sa u përket zhvillimeve të fundit në skenën botërore, Republika e Kosovës me veprime dhe gjeste konkrete solidariteti ka dëshmuar se ka qënë, është sot dhe do të jetë gjithmonë një shtet dhe shoqëri pro-perëndimore.

Së bashku dhe të bashkuar me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të konsoliduar më tej demokracinë tonë dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Me praninë e tyrë në këtë festë na nderojё Ministrja për Diplomaci Publike, znj. Galit Distel-Atbaryan, Shefi i Protokollit të Shtetit të Izraelit, Shkëlqesia e Tij Ambasadori z. Gil Haskel, Nënkryetarja e Komunës së Jerusalemit, znj. Fleur Hassan-Nahoum, anëtarët e Knessetit, të mbijetuar të Holokaustit, përfaqësues të organizatave hebreje, përfaqësues të komuniteteve nga Kosova dhe Shqipëria, ambasadorë e drejtues misionesh të akredituar në Izrael nga shtete njohëse dhe ato që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Në fjalët e tyre të rastit, ministrja znj. Galit Distel-Atbaryan dhe nënkryetarja znj. Fleur Hassan-Nahoum përgëzuan Republikën e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë dhe njëkohësisht për dy-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, si dhe theksuan se e mirëpresin thellimit e mëtejme të raporteve mes dy shteteve.