Mbreme në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) në Nju Jork, Serbia votoi për miratimin e një rezolute që kërkon tërheqjen e menjëhershme të forcave ruse nga Ukraina dhe bën thirrje për një paqe “të drejtë dhe të qëndrueshme”.
141 anëtarë të OKB-së votuan për atë rezolutë jodetyruese, të miratuar një ditë përpara përvjetorit të parë të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shtatë vende votuan kundër rezolutës (Rusia, Bjellorusia, Siria, Koreja e Veriut, Mali, Nikaragua, Eritrea) dhe 32 vende abstenuan, përfshirë Kinën dhe Indinë.
Ukraina dhe aleatët e saj shpresonin që rezoluta të merrte mbështetjen e të paktën 143 vendeve sonte, si në tetorin e vitit të kaluar, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënoi aneksimin rus të katër rajoneve në lindje të Ukrainës.
Rezoluta e miratuar sonte konfirmon “angazhimin për integritetin territorial të Ukrainës” dhe kërkon që Rusia “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës”.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Serbia ka votuar për katër rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për atë luftë dhe ka abstenuar një herë.