Një person ka humbur jetën dhe pesë janë lënduar nga shpërthimi i një bombe në ndërtesën e Gjykatës Themelore në Podgoricë, konfirmon policia.
Sërgjan Koraq nga Policia Kriminale u tha gazetarëve se 39-vjeçari nga Podgorica vdiq pasi aktivizoi mjetin shpërthyes.
“Ka shumë të ngjarë që ai të ketë aktivizuar mjetin shpërthyes me fuqi të madhe shkatërruese kur ka hyrë në ndërtesën e Gjykatës Themelore”, tha Koraq.
Policia më vonë deklaroi se ka shumë të ngjarë që mjeti shpërthyes të ishte një granatë dore.
Koraq ka konfirmuar se kanë mbetur të lënduar pesë persona dhe se ata janë dërguar në Qendrën Klinike. Drejtoresha e Qendrës Klinike të Malit të Zi, Lilana Raduloviq, ka bërë të ditur se pesë të lënduarit janë në gjendje stabile shëndetësore.
“Procedurat diagnostike janë duke u zhvilluar për të konstatuar lëndimet. Më e rëndësishmja është që të gjitha të kenë parametra vitalë stabil”, tha Raduloviq.