Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar një debat parlamentar për punën dyvjeçare të Qeverisë, që do të mbahet në seancën e javës së ardhshme.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së sotme të kryesisë, ka shprehur kritika për punën e Qeverisë Kurti në dy vjetët e fundit, duke thënë se nuk ka pasur asnjë veprim përveç fjalëve. Ai ka përmendur një urë në Istog si punën më të rëndësishme të kësaj qeverie dhe ka thënë se nuk ka pasur asnjë investim kapital, asnjë fabrikë dhe asnjë punë tjetër në këtë periudhë.
“Me kërkesë të AAK-së u miratua propozimi që në dyvjetorin e qeverisë Kurti të ketë debat parlamentar për punën e Qeverisë. Për ne, brenga kryesore është gjendja sociale, ekonomike, papunësia dhe humbja e shpresës dhe ikja e rinisë. Për dy vjet ka pasur fjalë, premtime, zotime, por nuk ka pasur asnjë veprim të mirëfilltë”, ka thënë ai.
Tahiri ka kritikuar Ligjin për Paga pasi sipas tij nuk ua ka ndryshuar kushtet punëtorëve të administratës shtetërore, teksa ka kritikuar edhe pagën minimale në sektorin privat dhe mungesën e reformave në sektorin social.
Ai ka deklaruar se AAK ka propozuar një rezolutë 10-pikëshe për të fokusuar punën e qeverisë në ballafaqimin me problemet aktuale të qytetarëve.