Këshilltarët Special të Scholz, Macron dhe Melonit kanë dalë me një kolumne të përbashkët në prag të 18 marsit, ditës së takimit në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq. Ata kanë shkruar se është koha për vendimmarrje dhe kanë ftuar Kosovën dhe Serbinë që të mos i ri-interpretojnë zotimet meqë një gjë e tillë do të rrezikonte mundësinë unike dhe gjithashtu do të rrezikonte rrugën drejt BE-së,
Sipas tyre pengesa më e dukshme është marrëdhënia e pazgjidhur në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila njëkohësisht është edhe çështje e sigurisë evropiane.
“Ajo çfarë pamë në fund të vitit të kaluar na ka brengosur tej mase. Bllokadat, dhuna, kërcënimet dhe retorika nacionaliste e bënë jetën e përditshme të qytetarëve në veri të Kosovës vështirë të përballueshme”, thuhet në kolumnen e përbashkët.
Kolumne e përbashkët nga këshilltarët special për politikë të jashtme dhe siguri të Francës, Gjermanisë dhe Italisë Emmanuel Bonne, Jens Plötner, Francesco Talò
Udhëheqësit tanë – Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni – na kanë ngarkuar me detyrën t’i ofrojmë mbështetjen tonë përfaqësuesit të lartë të BE-së Borrell dhe emisarit të posaçëm të BE-së Miroslav Lajčák për të çuar normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës për një hap të madh përpara.
Pse është e rëndësishme kjo për vendet tona? Pse duhet tani ne të përfshihemi më shumë në një dialog, në të cilin të dyja palët kanë ngecur prej vitesh?
Arsyeja është se e ardhmja, e Serbisë dhe e Kosovës, sikundër edhe e mbarë Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe ne duam të jemi përkrahësit tuaj më të mëdhenj në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në këtë union.
Evropa gjendet në mes të një pike kthese. Me sulmin brutal ndaj shtetit fqinj Ukrainës, Rusia e ka rikthyer një luftë të shkallës së plotë në kontinentin tonë. Pjesë e përgjigjes tonë kundrejt këtij cenimi të papranueshëm të sigurisë evropiane është angazhimi i shtuar për ta bërë shtëpinë tonë evropiane më të fortë dhe më përfshirëse. Për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE ne duhet të bëjmë një përpjekje shtesë për t’i hequr pengesat e së kaluarës, të cilat po e bllokojnë këtë rrugë.
Pengesa më e dukshme është marrëdhënia e pazgjidhur në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila njëkohësisht është edhe çështje e sigurisë evropiane. Ajo çfarë pamë në fund të vitit të kaluar na ka brengosur tej mase. Bllokadat, dhuna, kërcënimet dhe retorika nacionaliste e bënë jetën e përditshme të qytetarëve në veri të Kosovës vështirë të përballueshme.
Ky jostabilitet i të qenit në mënyrë konstante vetëm një hap larg përshkallëzimit të dhunshëm duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund, sepse qytetarët evropianë me të drejtë po pyesin se si vallë Serbia dhe Kosova do të ulen si miq dhe partnerë në të njejtën tavolinë në Bruksel si anëtare të Bashkimit Evropian. Si mund ne t’i sigurojmë ata që mbështetja jonë për Serbinë dhe Kosovën është ide e mirë?
Duhet të marrë fund, sepse investitorët nga shtetet tona i lexojnë lajmet dhe pyesin veten, nëse ia vlen të investojnë në këtë rajon. Çfarë t’u themi atyre, nëse kanoset rreziku për një konflikt të ri?
Por para së gjithash, kjo gjendje duhet të marrë fund, sepse qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë një të ardhme më të mirë. Një të ardhme, në cilën mosmarrëveshjet që po e pengojnë përparimin e të dyja vendeve më në fund do t’jenë tejkaluar.
E ardhmja ofron miqësi, bashkëpunim rajonal dhe një treg të përbashkët. Ajo përfundimisht e ofron premtimin për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ato t’iu bashkohen shteteve anëtare të Bashkimit Evropian si shtete të barabarta, sapo të përmbushen kriteret. Rasti për të zënë vend në këtë të ardhme është tani.
Kjo është arsyeja pse ne propozuam një bazë të re dhe të përshtatshme për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, bazë e miratuar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe e mbështetur në mënyrë aktive nga udhëheqësit tanë dhe partnerët tanë amerikanë. Ne e përshëndesim sinjalin e fuqishëm dhe të guximshëm që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e dërguan në Bruksel më 27 shkurt, kur e pranuan tekstin e këtij propozimi.
Tani kjo marrëveshje duhet të jetësohet sa më parë të jetë e mundur nëpërmjet një udhërrëfyesi të qartë për zbatim. Në bisedimet e rëndësishme që do të pasojnë nuk bëhet fjalë për të komplikuar dakordimin e arritur, por për të caktuar hapat konkretë që ai të bëhet realitet.
Çfarë do t’duhej të shmangin të dyja palët është përpjekja për të ri-interpretuar zotimet. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të kësaj mundësie unike dhe rrezik të bllokimin të rrugës drejt antarësimit në BE.
Kosova duhet t’i përmbushë detyrimet e saj për mbrojtje të komunitetit serb, përfshirë këtu ndërmarrjen e hapave për t’krijuar një asociacion/bashkësi të komunave me shumicë serbe dhe të garantojë një mbrojtje të nivelit të lartë të objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe. Serbia duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një fqinje që ka një perspektivë evropiane dhe vendin e vet në bashkësinë ndërkombëtare.
Koha nuk është në anën tonë. E edhe më shumë e rëndësishme, ajo nuk është në anën e Kosovës dhe Serbisë. Ne duhet të veprojmë me arsye të shëndoshë për përgjegjësi dhe urgjencë.
Po, kjo do të kërkojë lidership të guximshëm nga të dyja palët dhe sjellje të përgjegjshme nga forcat politike në Serbi dhe Kosovë – por: kjo mund të bëhet. Tani është koha për vendimmarrje! Ne si miq të Kosovës dhe Serbisë zotohemi t’ju mbështesim përgjatë rrugës tuaj për në Bashkimin Evropian.
Emmanuel Bonne, Jens Plötner, Francesco Talò