Dita e dytë e vizitës zyrtare në Strasbourg për Kryeministrin i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, filloi me një takim me raportuesin në Parlamentin Evropian mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën njëherësh eurodeputet nga radhët e grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), Thijs Reuten.
Eurodeputeti holandez përgëzoi Republikën e Kosovës për progresin në zbatimin e reformave të agjendës evropiane e politikat qeverisëse si dhe përparimin e bërë në zhvillim ekonomik, demokratizim e sundim të ligjit.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe të grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), ndaj vendit tonë në çështjen e liberalizimit të vizave, aplikimit për anëtarësim në BE, e rrugëtimit tonë të përgjithshëm evropian.
Hapi i ndërmarrë nga ana e Kosovës përmes aplikimit për anëtarësim në BE ishte temë e rëndësishme e diskutimit, ku u theksua se ka qenë i natyrshëm, vullnet i qytetarëve dhe dëshmia e radhës e orientimit të vendit ndaj vlerave e standardeve demokratike e evropiane. Eurodeputeti Reuten tha se është e rëndësishme që qytetarëve të Kosovës t’iu jepet perspektiva evropiane dhe të ecet përpara drejt një procesi kredibil të bazuar në meritokraci e shënim të progresit.
Duke e ftuar eurodeputetin Reuten që ta vizitojë vendin tonë në muajt në vijim, Kryeministri Kurti e falënderoi për takimin dhe diskutimet e shpeshta, produktive e të frytshme me të dhe eurodeputetët socialdemokratë.
Në takim, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. /Kosovatimes/