Selimi ka shkruar më herët se informacionet e tij më të fundit nga brenda BE-së, janë se tri shtete anëtare,për të cilat tha se nuk do të japë merat në këtë moment, kanë kërkuar suspendimin e  liberalizimit të vizave për Kosovën dhe fondet e IPA-s.

Von Cramon ka mohuar se Bashkimi Evropian do ta sanksionojë Kosovën me ndalesën e fondeve IPA dhe liberalizimin e vizave.

“Këto informacione po i dëgjoj për herë të parë”, shkroi ajo në Twitter.

“Unë mund të imagjinoj se kush mund të qëndrojë pas këtyre lajmeve, por të vihet në dyshim liberalizimi i vizave dhe fondet e IPA-së, absolutisht janë të pamundshme”, tha Von Cramon.

Ndërkohë, Vov Cramon tha se për çështjen aktuale në veri duhet një zgjidhje urgjente politike.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, më  27 maj ka nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të Partneritetit Financiar IPA III, e miratuar nga Komisioni Evropian.

Ajo mbulon programet vjetore të IPA-s për periudhën 2021-2027 dhe do të mundësojë miratimin e menjëhershëm të fondeve të IPA 2021 për Kosovën në vlerë prej 64 milionë euro.

Përndryshe, procesi i liberalizimit të vizave konsiderohet i përfunduar pasi ka mbaruare dhe akti i fundit, ai i publikimit të vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Kështu, liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës fillon me 1 janar 2024.