Të pesë pasagjerët në bordin e nëndetëses së zhdukur Titan besohet se kanë vdekur, sipas operatorit të anijes OceanGate, shkruan BBC.
Në një deklaratë, kompania tha se pesë burrat ishin “eksplorues të vërtetë që ndajnë një frymë të veçantë aventure”.
“Fusha e mbeturinave është në përputhje me një shpërthim katastrofik të anijes”, tha kundëradmirali John Mauger.
Gjatë gjurmimit, Roja Bregdetare kishte pajisje dëgjimi në ujë, por nuk zbuloi ndonjë prishje katastrofike, përsëriti ai.
Ai shtoi se koni i bishtit të nëndetëses Titan u gjet këtë mëngjes, afërsisht 1.600 metra larg harkut të rrënojave të Titanikut.
Dhe ata gjetën mbeturina shtesë, gjë që është në përputhje me një humbje katastrofike të dhomës së presionit. Menjëherë i kanë njoftuar familjet.
Zyrtarët e Rojës Bregdetare të SHBA-së thanë se mjetet për operim nga distanca (ROV) që punojnë në shtratin e detit rreth Titanikut, do të qëndrojnë aty.
Roja Bregdetare e SHBA-së thotë se ata janë ende duke punuar në zhvillimin e detajeve për kornizën kohore të përfshirë.
Është një “mjedis tepër kompleks” në fundin e detit, 2 milje nën sipërfaqe, tha Mauger, i cili ofroi ngushëllimet e tij për familjet e të ndjerëve.
Zyrtarët thonë se pesë pjesë të mëdha janë zbuluar midis rrënojave që rrethojnë vendin e Titanikut. Midis tyre, koni hundor, jashtë gypit të presionit dhe një fushë më e madhe mbeturinash.
Mauger nuk mund të konfirmonte nëse Roja Bregdetare e SHBA-së do të ishte në gjendje të nxirrte trupat e pesë pasagjerëve në bordin e nëndetëses Titan.
“Ky është një mjedis tepër i pamëshirshëm”, shtoi ai.
Vendi i përplasjes fatale besohet të jetë 1.600 këmbë (487 metra) nga harku i rrënojave të Titanikut.
Ndodhet në një zonë ku nuk ka mbetje të Titanikut.
Roja Bregdetare e ShBA-së do të vazhdojë të hetojë vendndodhjen e rrënojave.
Ka shumë pyetje
Ka shumë pyetje se si, pse dhe kur ndodhi kjo.
Këto janë pyetjet që do të mblidhen tani, ndwrkohw qw qeveritë takohen për të diskutuar për hetimin.
Roja Bregdetare tha më herët, më 22 qershor, se një fushë me copëza mbeturinash ishte zbuluar pranë rrënojave të Titanikut. Atë e zbuloi një robot nënujor që po kërkonte nëndetësen e humbur në zonën pranë rrënojave të Titanikut.
Eksperti i zhytjes, David Mearns, mik i pasagjerëve në Titan, i tha BBC-së se copëzat e mbeturinave përfshinin “pajisjen e uljes dhe mbulesën e pasme nga nëndetësja”.
“Sapo më kanë thënë se mjetet e uljes dhe mbulesa e pasme e nëndetëses janë gjetur mes rrënojave. Kjo është një nëndetëse jo e zakonshme, ajo mbulesë e pasme ka një fund të mprehtë, ndërkaq korniza e ankorimit është ajo mbi të cilën mbështetet e gjithë nëndetësja dhe mbi të cilën ajo ulet kur prek pjesën e poshtme”, tha ai.
“Kjo do të thotë se trupi nuk është gjetur ende, por dy pjesë shumë të rëndësishme të të gjithë sistemit janë gjetur”.
Kompania Pelagic Research Services, droni nënujor i së cilës zbuloi fushën e mbeturinave pranë Titanikut, postoi në faqen e saj të internetit, më herët gjatë ditës, se ishte “përqendruar te familjet e atyre në Titan dhe humbjen e tyre tragjike”. Por, shumë shpejt “humbja tragjike” u fshi nga faqet.
Më herët, gjatë ditës së enjte, u njoftua se kërkimet për nëndetësen kishin hyrë në fazën përfundimtare, pasi po bëheshin 96 orë, pas së cilës kohë ajo do të mbetej pa ajër për frymëmarrje të ekuipazhin të saj prej pesë personash.
Vlerësohet se nëndetësja Titan kishte rreth katër ditë furnizim me ajër të frymëmarrjes kur u nis të dielën në mëngjes në Atlantikun verior.
Bazuar në këtë, por edhe në informatat që dha Roja Bregdetare amerikane dhe kompania që qëndron pas ekspeditës, afati i fundit për gjetjen dhe shpëtimin e nëndetëses ishte afërsisht mes orës 12:00 dhe 14:00 të ditës së sotme.
Ekspertët theksojnë se ky është një vlerësim i pasaktë dhe se mund të zgjatet nëse pasagjerët marrin masa për ruajtjen e ajrit për frymëmarrje. Nuk dihet nëse dikush është gjallë në të pasi nëndetësja u zhduk mëngjesin e së dielës.
Ekipet e shpëtimit sollën disa anije dhe lundra në vendin e zhdukjes dhe Roja Bregdetare e SHBA-së njoftoi sot se një robot kanadez nënujor kishte arritur në shtratin e detit dhe filloi të kërkonte për nëndetësen, ndërsa një institut kërkimor francez tha se operacionit iu bashkua një robot për zhytje të thellë me kamera, drita dhe duart.
Autoritetet shpresojnë se tingujt nënujorë mund të ndihmojnë në ngushtimin e kërkimit, pasi zona e vendndodhjes së mundshme vlerësohet të jetë mijëra kilometra e gjerë dhe rreth katër kilometra e thellë.