Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për tekstet shkollore, duke kritikuar qeverinë për mungesë aftësie në sigurimin e librave për nxënësit.
Abdixhiku ka thënë se edhe këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka arritur të sigurojë librat shkollorë në kohë, duke lënë prindërit dhe nxënësit të përballen me sfida të panevojshme.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në shtetin e fundit për nga PISA, Qeveria me 51% pushtet e 12 miliardë euro buxhet, nuk arrin asnjëherë të nisë vitin shkollor mbarë.”
Sipas tij, paaftësia dhe popullizmi i qeverisë kanë një kosto të lartë për qytetarët.
“Ministria e Arsimit nuk arrin t’i sigurojë librat për nxënësit. Prindërit do të maltretohen në radhë të gjata dhe në procedura burokratike për subvencionim, duke përfunduar në pamundësi për të blerë tekstet shkollore me kohë”, ka theksuar Abdixhiku, duke premtuar se ky do të jetë viti i fundit që familjet kosovare do të përjetojnë këtë situatë. /Kosovatimes/