Shtëpia e famshme e modës Prada ka zbuluar një edicion të kufizuar këpucësh të frymëzuara nga sandalet Kolhapuri që e kanë origjinën në Indi, vetëm disa muaj pasi u kritikuan për kopjimin e plotë të dizajnit të tyre.
Në provincat indiane të Maharashtra dhe Karnataka, do të prodhohen 2,000 palë të këtyre sandaleve dhe dy kompani të mbështetura nga qeveria do të marrin pjesë në biznes, raporton Reuters.
“Ne do të kombinojmë praktikat standarde të prodhuesve origjinalë dhe teknikat tona të prodhimit”, thotë Lorenzo Bertelli, kreu i përgjegjësisë korporative të Prada-s.
Koleksioni do të shitet nga shkurti i vitit 2026 në internet dhe në 40 dyqane Prada.
Një palë thuhet se do të shitet për 939 dollarë, ose rreth 800 euro.
Marrëveshja midis Pradës dhe kompanive vendase u nënshkrua më 11 dhjetor gjatë Forumit të Biznesit Italo-Indian.
Në qershor, Prada shkaktoi polemika kur prezantoi sandale me gishta të hapur dhe një rrip përgjatë gishtit të madh që ngjajnë shumë me sandale tradicionale Kolhapuri të shteteve indiane të lartpërmendura.
Firma italiane i përshkroi ato si “këpucë lëkure” pa përmendur origjinën e tyre indiane, gjë që zemëroi shumë njerëz në Indi.
Më vonë, shtëpia e modës njoftoi se dizajni i sandaleve e kishte origjinën nga ai vend.
Në Prada, ata “gjithmonë kanë festuar artizanatin, trashëgiminë dhe dizajnin tradicional”, prandaj janë në kontakt me Dhomën e Tregtisë të shtetit indian të Maharashtra-s për këtë çështje, tha një zëdhënës i kompanisë për BBC-në në atë kohë.
Krijimi i ri i Pradës do të quhet “Prada nga India – e frymëzuar nga sandalet Kolhapuri”, tha për BBC të premten Sanjay Shirsat, ministri i drejtësisë sociale i Maharashtras.
“Duke marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e Prada-s”, disa këpucarë do t’i nënshtrohen trajnimit të posaçëm të organizuar nga kompania dhe organizata lokale e industrisë së lëkurës (LIDCOM), shtoi ai.
“Përveç kësaj, rreth 200 këpucarë që prodhojnë sandale Kolhapuri do të kenë mundësinë të ndjekin një trajnim tre-vjeçar në Itali”, thotë Shirsat.
Marrëveshja është për pesë vjet, por Shirsat beson se mund të zgjatet.
“Qeveria vendore do t’u ofrojë gjithashtu ndihmë financiare këpucarëve për këto qëllime”, premton ai.
Sandalet u emëruan sipas qytetit të Kolhapuri në provincën Maharashtra dhe datojnë që nga shekulli i 12-të.
Ato janë bërë prej lëkure, vijnë me ngjyra natyrale, janë të forta dhe të përshtatshme për një klimë të ngrohtë, siç është ajo e Indisë.
Pas skandalit, shumë këpucarë në Kolhapur thanë se ishin të pakënaqur sepse Prada po përdorte dizenjot e tyre pa i përmendur ato.




