Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë dalë të premten në protestë paqësore para zyrave qendrore të korporatës në Prishtinë, për të shprehur pakënaqësitë lidhur me kushtet e punës dhe trajtimin e tyre financiar.
Me pankarta në duar dhe thirrje të qarta, ata kërkuan që rrezikshmëria në vendin e punës të njihet dhe të paguhet.
“Punëtorët e rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Duam ngritjen e pagave, dhe ne duam jetën”, “Menaxhment, respekto ligjin e punës, paguaj vikendet për punëtorët me ndërrime”, janë vetëm disa nga thirrjet e punëtorëve që u dëgjuan gjatë protestës. Punëtorët i bënë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që të ndërmarrë hapa urgjentë për përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e plotë të kontratave kolektive dhe ligjeve të punës.




