Rritja e prodhimtarisë bujqësore dhe garantimi i cilësisë së lartë të frutave lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e farës cilësore dhe plehërimit profesional. Kjo ishte edhe tema qendrore e një punëtorie ku ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë ndanë praktikat më të mira që sigurojnë tokë të shëndetshme, rendiment të lartë dhe produkte të përputhshme me standardet evropiane.
Dushan Gajin, zhvillues produkti në një kompani holandeze të specializuar në fertilizues, vuri theksin te rëndësia e plehërimit të drejtë dhe përdorimit gjithnjë e më të gjerë të biostimulantëve.
“Përdorimi i duhur i materieve ushqyese dhe biostimulantëve është kyç për rritjen e rendimentit dhe të cilësisë së prodhimit”, u shpreh Gajin.
Ai rikujtoi se dekadat pas Luftës së Dytë Botërore u karakterizuan nga përdorimi masiv i plehërave artificiale, të cilët, megjithëse rritën prodhimin, e dëmtuan tokën në afatgjatë. Sipas tij, praktikat bashkëkohore po orientohen drejt reduktimit të kimikateve dhe rritjes së përdorimit të biostimulantëve natyralë.
“Synimi ynë është të përdorim sa më pak plehëra artificiale dhe sa më shumë materie natyrale, për të marrë përfitimet më të mira nga toka pa e dëmtuar atë”, shtoi ai.
Gajin nënvizoi se çdo proces plehërimi duhet të nisë me analiza të tokës, që ndihmojnë të kuptohen mungesat ushqyese, lagështia dhe rreziqet potenciale nga sëmundjet. Ai kujtoi se bimëve u duhen 16 elemente ushqyese, por tre prej tyre—oksigjeni, hidrogjeni dhe karboni—sigurohen në mënyrë natyrale përmes fotosintezës.
“Këto procese natyrore nuk duhet t’i prekim”, tha ai, duke shtuar se pjesa tjetër e elementeve duhet të jepet sipas fazës së zhvillimit të bimës.
Sipas Gajinit, përdorimi i pakontrolluar i plehërave mund të jetë i rrezikshëm, sidomos kur bima është në stres. “Mineralet e tepërta mund të bëhen të dëmshme për qelizat. Në raste të tilla, materiet organike janë zgjidhja më e sigurt”, shpjegoi ai.
Ai paralajmëroi se cilësia e tokës në Ballkan ka rënë ndjeshëm dekadave të fundit. “Në vitet ’70 cilësia e tokës ka qenë rreth 5%. Sot është vetëm 2%. Duhet të punojmë që ta rikthejmë tokën për gjeneratat e ardhshme”, apeloi ai, duke kërkuar përdorim profesional dhe të kontrolluar të plehërave.
Në të njëjtën linjë ishte edhe agronomi Besim Sahiti, organizator i punëtorisë, i cili e cilësoi farën cilësore si pikënisjen e çdo prodhimtarie të suksesshme.
“Fara cilësore është baza e rendimentit të lartë”, theksoi Sahiti. Ai shtoi se pas farës, rolin më të rëndësishëm e ka plehërimi i saktë dhe menaxhimi i sëmundjeve. “Produkti i duhur për problemin e duhur, gjithmonë në dozat e lejuara dhe me respektimin e karencës”, tha ai.
Edhe Skënder Ramadani, ekspert i mbrojtjes së bimëve dhe kultivues në 65 ari hapësira të mbrojtura, ndau të njëjtin qëndrim. “Fara cilësore dhe plehërimi profesional ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm te zhvillimi i bimës, por edhe te siguria ushqimore”, deklaroi ai.
Ramadani paralajmëroi se përdorimi i gabuar i plehërave dëmton fillimisht bimën, më pas tokën dhe në fund konsumatorin. Ai u bëri thirrje fermerëve të konsultohen rregullisht me shitësit e inputeve për llojin dhe mënyrën e përdorimit të tyre.
Efektet pozitive të përdorimit të farës cilësore dhe plehërimit të kontrolluar vërehen qartë edhe në pikat grumbulluese. Feim Rexhepi, menaxher i një pike grumbullimi në Rahovec, tha se zbatimi i këtyre standardeve është i domosdoshëm për tregun evropian.
“Për të mbajtur klientët evropianë, jemi shumë striktë me varietetet e farës dhe përdorimin e plehërave. Kjo ndikon drejtpërdrejt në besimin e importuesve”, tha Rexhepi.
Kjo qasje reflektohet edhe në procesim. Dorart Ajeti, pronar i një pike procesimi në Viti—ku 80% e prodhimit shkon për eksport—tha se diferenca mes produkteve të kultivuara me farë cilësore dhe trajtim profesional është e jashtëzakonshme.
“Produktet që vijnë nga farë cilësore dhe trajtim profesional kanë vlerë krejt tjetër në procesim dhe treg”, përfundoi ai.




