Ukraina po pergatitet t’i paraqesë Donald Trump një plan të ripërtërirë paqeje , ndërsa Zelensky hedh poshtë mundësinë e bërjes së lëshimeve territoriale ndaj Rusisë, raporton BBC.
Siç tha presidenti ukrainas dje, gjatë takimit të tij me udhëheqësit evropianë dhe zyrtarët e NATO-s, ai “nuk ka juridiksion” për të lëshuar territor, bazuar si në ligjin ukrainas ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Sipas Zelensky-t, ekipi i tij pritet të dërgojë një propozim të ri në Shtëpinë e Bardhë që të martën. “Rusia këmbëngul të heqë dorë nga territori, por ne nuk duam të heqim dorë nga asgjë”, tha ai. “Ne nuk kemi të drejtë ligjore ta bëjmë këtë, sipas ligjit ukrainas, Kushtetutës sonë dhe ligjit ndërkombëtar. Dhe nuk kemi të drejtë morale.”
Presidenti ukrainas ka argumentuar prej kohësh se çdo ndryshim në kufijtë e Ukrainës duhet të miratohet me referendum.
Të martën, shefi i shtabit të përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov, tha se forcat ushtarake ruse po përparonin përgjatë vijës së frontit të Ukrainës dhe po synonin Mirnokhrad, pranë qytetit strategjikisht të rëndësishëm të Pokrovskut. Rusia pretendon se ka pushtuar Pokrovskun, gjë që do ta shtynte Putinin më pranë marrjes së kontrollit të plotë të Donbasit.
Megjithatë, Ukraina e mohon këtë pretendim dhe i paraqiti BBC-së një video të drejtpërdrejtë që Kievi thotë se tregon ushtarë ukrainas duke luftuar ende në qytet.
Sipas agjencisë së lajmeve Interfax-Ukrainë, Zelensky u tha gazetarëve se plani fillestar prej 28 pikash i propozuar nga SHBA-të – dhe i refuzuar nga Kievi dhe evropianët si shumë i favorshëm për Rusinë – është reduktuar në 20 pika.
Sipas tij, megjithëse pikat “pro-ukrainase” nuk janë hequr nga drafti, nuk ka kompromis as për çështjen e territorit.
Presidenti ukrainas vuri në dukje se kontrolli i rajonit lindor të Donbasit dhe i centralit bërthamor Zaporizhia janë ndër çështjet “më të ndjeshme”.
Çfarë parashikonte versioni origjinal i planit?
Sipas versionit fillestar të planit të publikuar në media, Kievi do të duhej t’ia lëshonte Rusisë kontrollin e plotë të Donbasit, madje edhe zonat që nuk janë pushtuar nga Rusia në gati katër vitet e luftës.
Përveç kësaj, ajo parashikonte ndarjen midis Rusisë dhe Ukrainës të energjisë nga Zaporizhia – termocentrali më i madh bërthamor në Evropë.
Kievi dhe evropianët thonë se është bërë përparim në javët e fundit në optimizimin e planit, duke mirëpritur përpjekjet ndërmjetësuese të administratës Trump për t’i dhënë fund armiqësive.
Garancitë e sigurisë janë një “gjemb”
Megjithatë, sipas BBC-së, samiti i organizuar me nxitim në Downing Street të hënën, ku morën pjesë kryeministri britanik, presidenti francez dhe kancelaren gjermane, u pa gjerësisht si një shfaqje mbështetjeje për Ukrainën, e cila po përpiqet t’i rezistojë presionit nga Shtëpia e Bardhë.
Downing Street tha se kishte konsensus se bisedimet e udhëhequra nga SHBA-të shënuan një “moment kritik” për të forcuar mbështetjen për Ukrainën, duke përsëritur thirrjet për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që përfshin garanci të forta sigurie”.
Megjithatë, natyra e garancive të sigurisë në të ardhmen është ende një front i hapur në tryezën e negociatave.
Proceset për të formuar një aleancë ndërkombëtare të gatshme për t’i ofruar mbështetje të qëndrueshme ushtarake Kievit në rast të një marrëveshjeje paqeje po vazhdojnë, megjithëse ende nuk është e qartë se çfarë forme do të marrë kjo aleancë.
Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë propozuar dërgimin e trupave ndërkombëtare në Ukrainë, një propozim që është parë skeptikisht nga disa lojtarë evropianë të mbrojtjes, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë.
Për më tepër, është e paqartë se deri në çfarë mase SHBA-të do të ishin të gatshme të mbështesnin çdo marrëveshje të ardhshme mbrojtëse për Ukrainën.
Pas bisedimeve në Londër, Zelensky udhëtoi për në Bruksel ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe Presidenten e Këshillit Evropian Ursula von der Leyen. Sot, ai pritet të takohet me Kryeministrin Meloni në Itali.
“Pengesa” e Zelensky-t
Sipas Moskës, bisedimet me zyrtarët amerikanë mbi Ukrainën ishin konstruktive – pavarësisht faktit se nuk ka shenja se Kremlini është larguar nga qëllimet e tij fillestare, të cilat i vendosi kur nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Të dielën, Trump tha se e sheh Zelenskyn si pengesën kryesore për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Ai u tha gazetarëve se Rusia ishte “mirë” me planin e paqes që Shtetet e Bashkuara u paraqitën të dyja palëve, por se ishte “pak i zhgënjyer që Zelensky nuk e ka lexuar atë”.
Pothuajse njëkohësisht, Zelensky tha se po priste një informim nga kreu i negociatorëve ukrainas, Rustem Umerov, pas tre ditësh konsultimesh me homologët e tij amerikanë në Miami.
“Disa çështje mund të diskutohen vetëm ballë për ballë”, tha Zelensky.




