Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se nesër do të zhvillojnë një takim të përbashkët me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.
Diskutimi mes 27 krerëve të diplomacisë evropiane dhe gjashtë kryediplomatëve të vendeve të rajonit do të shërbejë si nxitje për vazhdimin e diskutimeve mbi gjendjen në rajon. Përgatitjet për samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillojë punimet në qershor në Tivat të Malit të Zi, pritet të jenë në fokus të diskutimeve.
Diplomatë evropianë të përfshirë në përgatitjet e takimit kanë paralajmëruar se fokusi i diskutimit mes ministrave evropianë dhe homologëve të tyre nga rajoni do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, përfshirë këtu edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

