Shefja e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, tha se në shumicën e shtëpive kosovare po vazhdon, siç tha ajo, të vidhet energjia elektrike, në sytë e shtetit.
“Sot derisa ne po flasim këtu rreth 87 për qind të shtëpive është duke iu vjedhur energjia elektrike, dhe nga kush, nga vetë shteti, në sytë e vetë shtetit, nga neglizhenca e kësaj qeverie për të konstatuar që njehsorët tanë, në shtëpitë tona nuk janë duke matur shpenzimin e energjisë elektrike në mënyrë të duhur dhe të saktë. Dhe kjo i bie që në sytë e shtetit, në mungesë të vëmendjes dhe përgjegjësisë së kësaj qeverie, ne tash e 6 vite jemi të vjedhur. Ministria përgjegjëse nuk ka siguruar as përmes instituteve të saj që këto matje të bëhen të sakta, për këtë kemi kërkuar përgjegjësi”, tha Lushaku-Sadriu.
Tutje, kryetarja e deputetëve të LDK-së opozitare tha se edhe KEDS edhe ministria konstatuan pasaktësinë e matjes e në një mënyrë, sipas saj, krejt joformale shqiptuan disa gjoba, siç i quajti ajo, ‘sa për sy e faqe’.
“Kjo është e papranueshme, përderisa prokuroria ka filluar hetimet, sepse kjo është një nga skandalet më të mëdha në kurrizin e secilit qytetar. Kërkojmë që qeveria të mos e lejojë ndryshimin e njësorëve nëpër shtëpi tani për ta fshehur vjedhjen. Të sigurohet që njehsorët mbesin aty si prova për hetuesinë , të konstatohet kjo vjedhje dhe paratë t’i kthehen cent më cent qytetarëve”, tha Lushaku-Sadriu që drejton deputetët e LDK-së opozitare.
Ndërkohë, MINT ka gjobitur KEDS-in pas konstatimit se kompania nuk ka respektuar afatin e vlefshmërisë së verifikimit për njehsorët elektrikë.
KEDS-i ndërkaq ka thënë se mbeten të përkushtuar të bashkëpunojnë në mënyrë të plotë me institucionet përkatëse dhe të kontribuojë në trajtimin e drejtë dhe transparent të kësaj çështjeje, në përputhje me obligimet ligjore dhe rregullatore.
Në një nga konferencat për media ditë më parë, zyrtarë të KEDS-it kishin thënë se të gjithë konsumatorët e prekur nga devijimet e mundshme, që dalin jashtë formës teknike, do të kompensohen në mënyrë të plotë, qoftë edhe për centin e fundit.

