Tuesday, April 21, 2026
HomeLajmeBotëFrancezi 86-vjeçar kërkon falje për rolin e familjes së tij në skllavëri

Francezi 86-vjeçar kërkon falje për rolin e familjes së tij në skllavëri

Një burrë 86-vjeçar ka lëshuar atë që besohet të jetë kërkimfalja e parë zyrtare në Francë për rolin e familjes së tij në skllavërinë transatlantike dhe tha se shpreson që të tjerët, përfshirë shtetin, do ta ndjekin shembullin.

Pierre Guillon de Prince, paraardhësit e të cilit nga Nantes ishin pronarë anijesh që transportuan rreth 4,500 afrikanë të skllavëruar dhe zotëronin plantacione në Karaibe, tha se edhe familjet e tjera franceze duhet të përballen me të kaluarën e tyre.

Ai beson se shteti duhet të bëjë më shumë sesa hapa simbolikë për t’u përballur me këtë trashëgimi, përfshirë çështjen e dëmshpërblimeve. “Duke pasur parasysh rritjen e racizmit në shoqërinë tonë, ndjeva një përgjegjësi për të mos e lejuar këtë të kaluar të fshihet”, tha 86-vjeçari, duke shtuar se dëshiron t’ua kalojë historinë e familjes nipërve dhe mbesave të tij.

Ai kërkoi falje në një tubim në Nantes përpara instalimit të një replike 18 metra të direkut të anijes. Dieudonné Boutrin, një pasardhës i skllevërve nga ishulli i Karaibeve Martinique, gjithashtu mori pjesë në instalim. Të dy punojnë së bashku në shoqatën Coque Nomade-Fraternité, e cila punon për të “thyer heshtjen” rreth skllavërisë, dhe ata theksuan se direku do të shërbejë si një “fener i njerëzimit”.

Franca njeh skllavërinë transatlantike si krim kundër njerëzimit

“Shumë familje pasardhësish të tregtarëve të skllevërve nuk guxojnë të flasin publikisht nga frika se mos hapin plagë të vjetra dhe provokojnë zemërim. Kërkesëfalja e Pierre është një akt i guximshëm”, tha 61-vjeçari Boutrin. 

Nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të, të paktën 12.5 milionë afrikanë u rrëmbyen dhe u transportuan me forcë, kryesisht në anije evropiane. Franca vlerësohet të ketë marrë pjesë në tregti me rreth 1.3 milionë njerëz.

Lëvizja e Guillon de Prince vjen pas kërkimfaljeve të ngjashme zyrtare nga disa familje në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë, të cilat përfshinin angazhime për të ndihmuar në riparimin e dëmit të shkaktuar nga veprimet e paraardhësve të tyre. Franca e njohu skllavërinë transatlantike si një krim kundër njerëzimit në vitin 2001, por, si shumica e vendeve evropiane, nuk ka kërkuar kurrë falje zyrtare për rolin e saj.

Thirrjet për kompensim po bëhen gjithnjë e më të forta

Gjatë mandatit të tij, Presidenti Emmanuel Macron ka zgjeruar aksesin në arkivat mbi të kaluarën koloniale të Francës. Vitin e kaluar, ai njoftoi krijimin e një komisioni për të hetuar historinë e marrëdhënieve midis Francës dhe Haitit, pa përmendur dëmshpërblimet.

Thirrjet për dëmshpërblime, nga kërkimfaljet zyrtare deri te kompensimi financiar, po rriten në mbarë botën, megjithëse kritikët argumentojnë se shtetet dhe institucionet nuk duhet të mbahen përgjegjëse për krimet historike.

Muajin e kaluar, Franca abstenoi nga një votim në Kombet e Bashkuara për një rezolutë të propozuar nga vendet afrikane që e shpallte skllavërinë “krimin më të madh kundër njerëzimit” dhe bënte thirrje për dëmshpërblime.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram