Monday, April 20, 2026
HomeLajmeKosovëQeveria miraton tri protokollet e CEFTA-s dhe ndryshon Bordin e Telekomit

Qeveria miraton tri protokollet e CEFTA-s dhe ndryshon Bordin e Telekomit

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjet për ratifikimin e tri protokolleve shtesë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), përfshirë Protokollin Shtesë 6 për tregtinë në shërbime, Protokollin Shtesë 5 për aderimin dhe amendamentimin e marrëveshjes, si dhe Protokollin Shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky hap përbën një arritje të rëndësishme për vendin, duke theksuar se për herë të parë protokollet e CEFTA-s do të miratohen në Kuvendin e Kosovës pa përfshirjen e UNMIK-ut.

Ajo nënvizoi se ky proces është rezultat i një pune intensive të institucioneve dhe se protokollet do të kenë trajtim të barabartë në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës. Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se për kryesues të këtij bordi është propozuar Shaban Neziri.

Po ashtu, ekzekutivi miratoi projektrregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 09/2019 për Integrimin e të Huajve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ndryshimet parasheh zgjatjen e afatit të strehimit elementar për personat me status refugjati, status të mbrojtjes plotësuese dhe mbrojtje të përkohshme, përtej periudhës dyvjeçare.

Sipas Sveçlës, praktika ka treguar se një numër i konsiderueshëm i këtyre personave nuk arrijnë të integrohen plotësisht brenda afatit aktual, ndaj është vlerësuar e nevojshme zgjatja e strehimit për të lehtësuar procesin e integrimit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments