Albin Kurti si lider i Vetëvendosjes e Lumir Abdixhiku si lider i LDK-së nuk do të takohen më për çështjen e presidentit. Kjo duket të jetë marrëveshja e vetme mes kësaj dyshe të liderëve, njëri në pushtet e tjetri në opozitë që doli nga takimi i sotëm, një javë para se të përfundojë afati kur vendi duhet të ketë kreun e ri të shtetit.
“U dakorduam që të mos takohemi më, dhe nuk kemi pse të takohemi sepse i harxhuam 53 ditë nuk patëm zgjidhje, prapë të takohemi edhe një herë të flasim për president të LVV-së, nuk ka kuptim. Edhe njëherë po them efektivisht LDK e konsideron të mbyllur këtë çështje”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku para gazetarëve, pasi doli nga takimi që pati me kryetarin e LVV-së, Kurti.
Ai tha se Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet LVV-së.
“Edhe presidenti t’i takojë 51 për qindëshit është me tepër se sa vullneti qytetar. U përpoqa, provova, nuk arrita fatkeqësisht. Tani i kthehemi LDK-së e do t’i kthehemi misionit të madh të bashkimit të së djathtës”, tha Abdixhiku.
I pyetur nga gazetarët nëse bashkimi i së djathtës nënkupton kthimin ose përafrimin me ish-presidenten, Vjosa Osmani, ai tha se përafrimi i së djathtës do të jetë lajm i mirë për Kosovën.
“Është qëllim i imi, do të punojë për këtë qëllim deri në ditën e fundit”, tha Abdixhiku.
Tutje, kreu i LDK-së tha se nuk ka kushte që Vjosa Osmani të jetë në LDK, e për këtë tha se partia që drejton është unike në qëndrime.
“Bashkimi nuk kërkon kushte, kërkon afrim, koordinim të mbarë, shikim drejt së ardhmes, një alternativë serioze për vendin që nuk krijon kriza të vazhdueshme, por që punon për qytetarin”, tha tutje ai.
Abdixhiku, tutje tregoi, se në këtë takim të fundit me kreun e LVV-së e kryeministrin Kurti, refuzoi të fliste për çdo gjë tjetër, përpos çështjes së presidentit.
“Unë refuzova të flasim për çdo gjë tjetër pa trajtuar çështjen e presidentit. Problemi ishte presidenti, jo Qeveria. Kosova ka Qeveri edhe Kuvend. Unë u përpoqa, u përpoqëm të gjejmë zgjidhje për presidentin, unë nuk kam hapur diskutime të tjera, nuk kam hapur diskutime as për ekzekutiv as për kryetar Kuvendi, sepse çështja është për president. Momentin që kishim trajtuar çështjen e presidentit do të mund të trajtonim edhe çështje të tjera. Dhe nuk kemi kërkuar asnjë pozicion për LDK as për mua, kemi pasur qëndrime parimore. Po të ishim pajtuar për propozime parimore, atëherë do të kishim ardhur në fazën e diskutimeve të tjera”, tha kryetari i LDK-së.
Ai tha se LDK e lë të hapur diskutimin për partitë tjera.
“53 ditë nga 60 ditë kemi bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje, besoj që kemi pasur kohë mjaftueshëm, 53 ditë janë mjaft, nuk kemi dëgjuar asnjë propozim tjetër përveçse se presidenti të jetë nga radhët e LVV, nuk kemi pasur ndonjë emër tjetër. Janë edhe 7 ditë tjera që partitë tjera mund të bëjnë zgjidhje edhe pa LDK-në, nëse mund ta bëjnë një gjë të tillë çdo gjë është e mirëseardhur. Efektivisht LDK do t’i kthehet strukturave të veta dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur”, tha Abdixhiku.

