Bashkimi Evropian në Kosovë, Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi zbatues i përbërë nga Universiteti Aristotel i Selanikut dhe Institut National du Service Public kanë njoftuar për përzgjedhjen e suksesshme të përfituesve të Raundit XVI të programit të bursave pasuniversitare “Young Cell Scheme”.
Në kuadër të këtij programi janë ndarë 40 bursa të reja për studime Master, të cilat do të financohen nga BE-ja dhe do t’u mundësojnë përfituesve të ndjekin studimet në universitete të vendeve anëtare të BE-së në fusha si integrimi evropian, drejtësia, ekonomia, digjitalizimi dhe inxhinieria.
Pas përfundimit të studimeve, bursistët do të angazhohen për tre vjet në shërbimin civil të Kosovës, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve institucionale përmes njohurive të fituara.
Për të shënuar këtë arritje, të hënën më 20 prill 2026, në orën 17:00, në Ndërtesën e Qeverisë në Prishtinë (Salla P38), do të mbahet një event mirëseardhjeje, ku do të marrin pjesë përfaqësues të BE-së, Qeverisë së Kosovës, partnerëve zbatues dhe përfituesve të bursave.
Në këtë aktivitet, sipas njoftimit, do të prezantohen zyrtarisht përfituesit e rinj dhe do të theksohen parimet kryesore të programit. Mediat janë të ftuara ta përcjellin ngjarjen, me kërkesën që të arrijnë deri në orën 16:45 për akreditim dhe vendosje të pajisjeve.
Young Cell Scheme është program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Kosovës për bursa pasuniversitare për qytetarët e Kosovës, i cili synon të mbështesë mundësitë e arsimit të lartë për profesionistët e rinj, duke nxitur ekselencën akademike dhe duke forcuar kapacitetin udhëheqës të vendit përmes arsimit të financuar nga BE-ja.
Përfituesit e bursave do të kenë mundësinë të ndjekin programe Masteri të financuara plotësisht në universitete të shteteve anëtare të BE-së, në fusha të ndryshme, përfshirë integrimin evropian dhe planifikimin e politikave, drejtësinë, ekonominë, digjitalizimin, inxhinierinë dhe fusha të tjera akademike.
Pas përfundimit të studimeve, të gjithë përfituesit do të punojnë për tre vjet në shërbimin civil të Kosovës, duke kontribuar në zbatimin praktik të njohurive të fituara dhe forcimin e institucioneve të vendit.

