Pas verdiktit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe me 30 vjet burgim Kushtrim Kokallën, folën edhe avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, si dhe vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, të cilët e vlerësuan pozitivisht dhe si të drejtë vendimin e gjykatës.
Avokati tha se aktgjykimi i shpallur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt është nxjerrë në përputhje me provat materiale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke theksuar se “sot drejtësia foli”.
Syla tha se gjykata ka shqiptuar dy dënime me burgim të përjetshëm dhe një dënim prej 30 vitesh burgim për Kushtrim Kokallën, duke e cilësuar vendimi për këtë të fundit si “kuazi-dënim”, pasi një formë e tillë nuk parashihet në Kodin Penal.
Syla paralajmëroi se familja e viktimës do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit, pikërisht për shkak të lartësisë së dënimit ndaj Kokallës. Ai tha se procesi ka qenë i rëndë dhe i ngarkuar, por se vendimet e gjykatës duhet të respektohen, ndërsa palët kanë të drejtë të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion.
Ai foli edhe për praninë e ekipit hetues dhe stafit të prokurorisë gjatë shpalljes së aktgjykimit, duke e cilësuar këtë si praktikë normale, pasi sipas tij, hetuesit kanë qenë të angazhuar që në momentet e para të rastit. Syla tha se ata kanë reaguar me gatishmëri të lartë dhe kanë arritur ta zbardhin shpejt ngjarjen, duke vërtetuar se rasti nuk ishte grabitje, por vrasje e rëndë.
Në fund, ai theksoi se të gjitha pretendimet e familjes do të paraqiten edhe në instancat më të larta gjyqësore dhe se dënimi ndaj Kokallës duhet të ndryshohet, megjithatë vendimmarrja i takon Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë, Leonardi, vëllai i Liridona Ademajt, tha se vendimi i gjykatës ka konfirmuar atë që familja ka deklaruar që nga fillimi: se krimi ishte i organizuar nga bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe me Granit Plavën si ekzekutues.
Ai theksoi se ky vendim nuk është vetëm për familjen, por edhe për Liridonën dhe fëmijët e saj, të cilët do të jetojnë pa nënën e tyre. Sipas tij, ky dënim duhet të shërbejë si mësim dhe paralajmërim për këdo që tenton të kryejë krime të tilla.
Leonardi shtoi se vendimi ka sjellë një lehtësim të pjesshëm për familjen, duke thënë se ishte një vendim që e kishte pritur jo vetëm familja, por edhe i gjithë opinioni publik shqiptar.

