Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi të martën se specialistët ukrainas kishin përfunduar riparimet në një pjesë të tubacionit të naftës Druzhba që Kievi pretendon se është dëmtuar nga sulmet ruse.
Zelenskyy deklaroi se tubacioni mund të rifillojë funksionimin. Ai shtoi se, ndërsa aktualisht nuk ka garanci se Rusia nuk do ta sulmojë përsëri infrastrukturën e tubacionit, specialistët ukrainas kanë siguruar kushtet themelore për rivendosjen e sistemit dhe pajisjeve të tij.
Udhëheqësi ukrainas shtoi se, në lidhje me rifillimin e operacioneve të Druzhbës, Kievi pret miratimin e një pakete të re ndihme nga Bashkimi Evropian. “Ne e shoqërojmë këtë me zhbllokimin e paketës evropiane të mbështetjes për Ukrainën, e cila tashmë është miratuar nga Këshilli Evropian”, citon Shërbimi Ukrainas i Radios Evropa e Lirë/Radio Liberty të ketë thënë Volodymyr Zelenskyy .Presidenti ukrainas përsëriti rëndësinë e vazhdimit të presionit të sanksioneve ndaj Rusisë dhe të punës për të diversifikuar më tej furnizimet me energji: “Evropa duhet të jetë e pavarur nga ata që përpiqen ta shkatërrojnë ose dobësojnë atë”.
Një javë më parë, Volodymyr Zelenskyy njoftoi se tubacioni Druzhba, i cili transportonte naftën ruse në Sllovaki dhe Hungari përmes territorit ukrainas dhe që kishte qenë jashtë funksionit që nga fundi i janarit, do të riparohej dhe do të rihapej deri në fund të prillit.
Zelenskyy mohon se Ukraina ndaloi qëllimisht dërgesat e naftës për të ndikuar në Hungari dhe Sllovaki. Në të njëjtën kohë, ai u ka bërë thirrje vazhdimisht këtyre vendeve që të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia.
Budapesti akuzoi Kievin se i vonoi qëllimisht rinovimet për të ndikuar në fushatën zgjedhore në Hungari. Më 12 prill, në Hungari u mbajtën zgjedhje, të cilat rezultuan në një humbje për partinë e kryeministrit Viktor Orbán, i cili konsiderohet si një nga politikanët evropianë më të afërt me Kremlinin.

