Shtetet e Bashkuara synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.
Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Mes tjerash, Ambasada ka thënë se ShBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe në se në parim, nuk kanë mospajtime për të.
“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.
Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 25 tetor se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.
“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati tashmë është shtyrë një herë, dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se thirrjet për shtyrje të afatit për targat nuk i konsideron si presion.
“Gjithçka që vjen nga miqtë tanë është sugjerim me qëllimin më të mirë të mundshëm. Dhe natyrisht që sikurse ne, si liderë institucionalë të Kosovës, ashtu edhe miqtë tanë, qëllimin e kemi që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë e përtej”.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas mbjelljes së drurëve në aksin rrugor tek Aeroporti i Prishtinës.
Osmani e ka përsëritur qëndrimin e saj se çështjen e targave e konsideron si çështje të sundimit të ligjit dhe se beson që në koordinim me partnerët ndërkombëtarë do të gjendet një zgjidhje.
“Besoj që do të gjendet një zgjidhje përpara, e cila edhe e respekton afatin, edhe i mbron serbët nga këto kërcënime të vazhdueshme që po i kemi”, ka thënë mes tjerash ajo.
Vuçiq takohet të enjten me Listën Serbe dhe mbledh Këshillin e Sigurisë
Lidhur me targat, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar për 27 tetor takim me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
Siç ka njoftuar kabineti i Vuçiqit, takimi do të mbahet në orën 09:00.
Pas takimit me serbët e Kosovës, në ora 10:00 pritet të mbahet edhe një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, organ që mbledh përfaqësues të sektorit ushtarak dhe të sigurisë.
Ky takim është thirrur pasi Lista Serbe ka kërkuar të takohet me Vuçiqin për shkak të çështjes së riregjistrimit të targave në Kosovë.
Sipas kësaj partie, më 1 nëntor Kosova po planifikon “të konfiskojë pronat e qytetarëve tanë dhe makinat me targa serbe”.
Tensionet rreth targave
Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.