Saturday, April 25, 2026
HomeLajmeKosovëMiratohet Projektligji për çmimet tavan, opozita nuk e mbështetë

Miratohet Projektligji për çmimet tavan, opozita nuk e mbështetë

Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg ka marrë dritën jeshile edhe në lexim të dytë nga deputetët e Kuvendit të Republikës. Për të votuan 63 deputetë, asnjë votë nuk ishte kundër dhe asnjë abstenim.

Paraprakisht, gjatë shqyrtimit ky dokument u kundërshtua nga partitë opozitare, derisa nga ekzekutivi u shpjegua se në çfarë rrethanash do të aktivizohet i njëjti.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila tha se  ka pasur elemente që janë keqinterpretuar në publik, derisa ka treguar se i njëjti është i paraparë të aktivizohet vetëm në situata të destabilizimit të tregut dhe vetëm për 14 produkte që janë të specifikuara në këtë projektligj.

“Janë produkte të  shportës bazë të cilat synim e kanë mbrojtjen e kategorive më të lëndueshme në raport të ndryshimit të çmimeve. Nuk është projektligj që i hyn listës së përgjithshme të të gjitha produkteve në të gjitha marketet dhe i përcakton çmimet, jo, përcakton vetëm çmimet e produkteve që janë të miratuara sipas projektligjit dhe nënproduktet që derivojnë nga ato produkte të cilat i miraton bordi”, shpjegoi Kusari-Lila.

Deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari,  tha se ky projektligj ka të bëjë vetëm me rregullimin e çmimeve në rast të destabilizimit në treg e asnjëherë në  situata që janë të paraqitura si situata të jashtëzakonshme apo  gjendje emergjente. “Por vetëm kur kemi destabilim në treg. Pra është i krijuar një bord i pavarur e i përkohshëm”, tha ajo.

Deputeti  i PDK-së, Arben Mustafa tha se nuk janë kundër një ligji që pengon abuzimin me çmime në treg, përkundrazi, tha se institucionet përgjegjëse duhet të luftojnë çdo formë të abuzimit. “Por, mënyra se si është formuluar ky ligj lë hapësirë për arbitraritet”, tha ai.

Janina Imeri nga LDK-ja tha se gjërat që i kanë pasur si pengesë, vazhdojnë të jenë pjesë e projektligjit. “Pavarësia bordit, metodologjia, marzha, kanë mbetur po të njëjtat dhe si amendamente nuk janë pranuar, vetëm disa fjali pjesërisht”, deklaroi ajo.

Kreu i deputetëve të AAK-së, BesnikTahiri tha se AAK-ja nuk e mbështetë këtë ligj, “Nëse me të vërtetë kjo qeveri kishte pasur vullnet për të intervenuar në treg në situata të jashtëzakonshme kur është destabilizuar tregu  mënyra më e lehtë e më e mirë ka qenë me i marrë dy vendime të thjeshta, të ulte akcizën e TVSH-në e këto dy vendime kishin ndikuar në uljen e çmimeve në një situatë kur tregu ka qenë i destabilizuar i imponuar nga një krizë globale”, tha Tahiri.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram