Saturday, April 25, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Nuk jemi kursyer për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Kurti: Nuk jemi kursyer për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Kryeministri, Albin Kurti, i është përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila nga foltorja e Kuvendit tha se po përcjellë shqetësimin për shkelje të të drejtave të njeriut që po ndodhin në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Musliu-Shoshi e ka pyetur Kurtin se nëse i ka informuar Qeveria partnerët ndërkombëtarë lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut atje.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës e trajton me seriozitet të plotë çdo shqetësim që lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Në këtë drejtim komunikimi institucional me parterët ndërkombëtar është i vazhdueshëm e i strukturuar duke u zhvilluar në mënyrë të përgjegjshme të proceseve gjyqësore. Po ashtu nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin moslejimi i presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal të Serbisë, si prova në procesin gjyqësor atje”.

Tutje, në përgjigjen e tij, Kurti tha se arkitektura juridike e Dhomave të Specializuara e themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm, garanton pavarësi të plotë nga ekzekutivi.

“Kjo nënkupton që Qeveria nuk ndërhynë në procedura gjyqësore, dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejt në informacionet operative të proceseve në zhvillim”.

Megjithatë, tha Kurti, kjo nuk përjashton përgjegjësinë e tyre për të kërkuar përgjigje të karakterit parimor, e standarde të larta të transparencës dhe respektimit të të drejtave themelore.

“Në këtë kuadër, në komunikimin zyrtar drejtuar Ekaterina Trendafilovas, unë kam theksuar se nga perspektiva institucionale e sigurisë së Kosovës, nuk ekzistojnë rrethana që do të pengonin qëndrimin e të akuzuarve në territorin e vendit tonë, gjatë zhvillimit të procedurave, duke garantuar kapacitetin e plotë të institucioneve për të siguruar mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit. Kjo paraqet një vlerësim zyrtar që kushtet e sigurisë janë të mjaftueshme dhe në përputhje me standardet përkatëse”, tha Kurti.

E pyetur nga deputetja e PDK-së nëse mund të listojë veprimet  që kanë bërë, Kurti tha se kanë  bërë atë çfarë kanë mundur, se nuk kanë pasur rezerva dhe as nuk  janë kursyer.

“Gjatë këtyre pesë vjet e gjysmë, gjithsej janë ndarë nga Republika e Kosovës mbi 37 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë. Nuk jemi kursyer për t’i mbrojtur me avokatët që janë përzgjedhur prej vetë atyre”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit, tha se kontributi më i madh që e ka dhënë është sa ka qenë deputet që nuk ka votuar për themelimin e Speciales.

“Kontributin më të madh e kam dhënë për këtë çështje kur si deputet i  Kuvendit nuk e kam votuar ndryshimin kushtetues dhe as Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë, as me 26 qershor e as me 3 gusht 2015. Unë  do të u kisha sugjeruar që për këto të merrni përgjigje jo nga pyetjet parlamentare, por nga ato brenda partiake”, i tha Kurti gjatë përgjigjes së tij deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Kurti për pagën e 13-të për RTK-në

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, gjithashtu e ka pyetur kryeministrin se pse nuk është realizuar paga e 13-të për punonjësit e RTK-së.

“Pyetja tjetër ka të bëjë me Radiotelevizionin e Kosovës e që së fundmi është shndërruar në Radio Televizion të LVV-së , sidoqoftë i kam pranuar shqetësimet e punonjësve që janë aty. Cilat janë arsyet pse ende nuk është realizuar paga e 13-të për punëtorët e RTK-së?”, e pyeti deputetja  e PDK-së, Kurtin.

“Kisha një hamendësim fillimisht, se nuk ishte pyetje, sepse në fillim të pyetjes ju konstatuat, cili është kuptimi të bëni pyetje nëse RTK-në e quani Radiotelevizion të LVV-së”, nisi përgjigjen e tij kreu i ekzekutivit.

“Me këso konstatimi kapital, kardinal, nuk ka mundësi më për pyetje, sidoqoftë unë kam mirësinë të iu përgjigjem meqë e kam lexuar pyetjen paraprakisht”, vazhdoi ai.

Sqaroi se vendimi i Qeverisë mbështetet në Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore i cili tha se i jep kompetencë Qeverisë që në përputhje me planifikimet buxhetore të ndajë mjete për pagën e 13-të për zyrtarët  që kanë qenë të angazhuar së paku 12 muaj, e që plotësojnë kushtet e përcaktuara me vendim.

“Vendimi përcakton që përfitues janë të gjithë të punësuarit që janë pjesë e listës së pagave të muajit mars 2026, në kuadër të Organizatave Buxhetore. RTK është institucion publik i pavarur që ushtron veprimtarinë e vetë në mënyrë të pavarur dhe rregullon organizimin e brendshëm përfshirë çështjet financiare dhe të personelit përmes akteve të veta. Edhe pse financimi i RTK-së sigurohet përmes Kuvendit, i cili mbron autonominë institucionale dhe garanton realizimin e misionit të shërbimit publik, kjo nuk nënkupton përfshirje në listën e pagave të administratës shtetërore”, deklaroi ai.

Sipas tij, autonomia institucionale e RTK-së reflektohet edhe në faktin se  çështjet që lidhen me kompensimet e shpërblimet e punonjësve, rregullohen me rregullore të brendshme të RTK-së.

“RTK është e Kosovës, jo e Qeverisë së Kosovës. RTK është e lidhur me Kuvendin e Republikës, nuk ka Qeveria ministri të informatave ku agjenci e ministrisë është RTK-ja, mund të ketë qenë kjo në të kaluarën në kuptimin funksional të fjalës, por sot funksioni përputhet me ligjin”, tha Kurti. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram