Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar daljen e parë publike të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të zonës së Drenocit dhe luftëtarëve të saj në rrjedhën e luftës çlirimtare.
Haradinaj bëri të ditur se në këtë përvjetor iu bashkua kryetarit Smajl Latifi, familjeve të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve në Drenoc, të cilin e cilësoi si një nga shtyllat kryesore të luftës për liri.
Sipas tij, pas daljes publike të UÇK-së në Drenicë dhe Dukagjin, synimi i Serbisë ishte ta ndalte zgjerimin e luftës çlirimtare, por rezistenca në Drenoc ndikoi në ndryshimin e rrjedhës së luftës dhe në mobilizimin e zonave të tjera.
Ai theksoi se kjo bëri që në pranverën e vitit 1998, UÇK të shtrihej në gjithë vendin.
Haradinaj kujtoi edhe sakrificën e dëshmorëve dhe heronjve, duke nënvizuar se misioni i tyre ishte çlirimi nga robëria, ndërsa liria erdhi me shumë sakrifica dhe humbje.
Në fund, ai përmendi rolin e NATO, duke thënë se ndërhyrja e saj, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, së bashku me luftën e UÇK-së në terren, solli lirinë për Kosovën.

