Monday, April 27, 2026
HomeLajmeKosovëKurti kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për të pagjeturit

Kurti kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për të pagjeturit

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me nënë Ferdonijen nga Gjakova, bashkëpunëtore nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, kanë bërë homazhe pranë monumentit, në Ditën e të Pagjeturve.

Kurti tha se “Kosova ende i kërkon edhe 1565 persona që figurojnë si të pagjetur, derisa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë, për të treguar të vërtetën  për të zhdukurit.

“Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të bëjë trysni mbi Beogradin zyrtar dhe të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë, meqenëse ata e mbajnë përgjegjësinë dhe ata e dinë të vërtetën. Janë edhe 11 varreza masive, përveç atyre pesë, që tashmë janë zbuluar e për të cilat Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar edhe nga vetë ata publikisht se janë 16 varreza masive gjithsej. E vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar, në Batajnicë i kemi 744 të pagjetur të zhvarrosur prej atje, ndërsa gjithsej deri tani janë rreth 1 mijë shqiptarë që janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, tha Kurti.

Kreu qeveritar deklaroi se faktori ndërkombëtar, evropian e amerikan duhet t’i bëjnë më shumë trysni Beogradit ashtu që të zbardhet e vërteta e përgjegjësit t të dalin para gjyqit. Ndërkohë ai tha se ndonëse po bëhet punë në gjykimin e tyre, duhet të bëhet edhe më shumë, sepse dëshmitarët, tha ai, po plaken, çka sipas Kurtit e vështirëson përndjekjen dhe sjelljen e kriminelëve serb para drejtësisë.

 “Edhe në Kosovë e kemi mundësinë për vite me radhë që të dënohen pasi të gjykohen në mungesë kriminelët  e shumtë të  luftës, qofshin ata urdhërdhënës apo ekzekutorë, për këtë Prokuroria Speciale e ka përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës, gjithashtu edhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi. Janë duke punuar më shumë e më shpejt se përpara, por unë mendoj që duhet të punojnë edhe më shumë e më shpejtë se ç’po bëhet, meqenëse dëshmitarët po plakën,  shumë prej tyre po ndërrojnë jetë dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja para drejtësisë e kriminelëve serb të luftës”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit tha se Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit, po bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e të zhdukurve.

“Me këtë rast duhet të kujtojmë që i fundit që u varros, ishte djali i vogël 9 vjeçar, Sinan Dauti, nga Prekazi, i cili në pranverën e vitit 1999 ishte i fshehur bashkë me nënën e tij e familjarë të tjerë në bodrumin e shtëpisë së tyre, në Prekaz e në mënyrë mizore atë e përfshiu breshëria e plumbave të forcave të armatosura të Serbisë, që po shtinin mbi gratë e fëmijët. Dhe me atë rast, nëna e tij, nëna heroinë Lumnija, e plagosur, e nxori Sinanin e vogël nga bodrumi e nga Prekazi e ka bartur deri në Klinë të Ulët, e pastaj nga Klina e Ulët e ka çuar në Skenderaj, prej Skenderajt në Mitrovicë, ku nuk e kanë lënë familjen,  ku që prej atëherë ai figuronte i zhdukur. Dhe tash së fundmi u gjetën eshtrat e djalit të vogël 9 vjeçar, Sinan Dauti dhe ai prehet i qetë në vendlindjen e tij”, tha Kurti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram