Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kanada, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi takim në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Kanadez me kryesuesin e këtij komiteti, Ahmed Hussen, si dhe me anëtarët e tjerë.
Gjatë takimit u diskutua bashkëpunimi bilateral ndërmjet Kanadasë dhe Kosovës dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të tij, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe minierave. Po ashtu, u trajtuan zhvillimet e fundit rajonale dhe globale, si dhe ndikimi i forcave malinje në rajon.
Në kuadër të vizitës, Ahmeti u takua edhe me asistent zëvendësministrin për Mbrojtje Kombëtare, Scott Millar, si dhe me zëvendësministrin e Asociuar për Shërbime Publike dhe Prokurim, Michael Mills, me të cilët bisedoi për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
Pas takimeve zyrtare, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Otava, Ahmeti u takua me përfaqësues të diasporës shqiptare, ku u diskutua për angazhimin e saj në Kanada, mësimin në gjuhën shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.


