Thursday, June 18, 2026
HomeLajmeThaçi: 200 euro gjobë për qytetarët, 1 000 për bizneset që ndotin...

Thaçi: 200 euro gjobë për qytetarët, 1 000 për bizneset që ndotin ambientin

Nga 15 shkurti ka nisur zbatimi i vendimit për ndëshkimin e ndotësve të mjedisit, me gjoba që arrijnë deri në 1 000 euro për bizneset. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së, theksoi se fillimisht vendimi është paralajmëruar 10 ditë më herët, në mënyrë që qytetarët të informohen me kohë.

“Gjobat do të jenë 200 euro për persona fizikë dhe 1 000 euro për bizneset që hedhin mbeturina apo ndotin ambientin”, tha Thaçi.

Kryetari paralajmëroi nisjen e procedurave për shkëputjen e Obiliqit nga kompania regjionale e pastrimit, duke theksuar se komuna ka vetëm 3 % të aksioneve, ndërsa menaxhimi aktual nuk është në nivelin e duhur. Ai tha se komuna do të synojë menaxhim më efikas të mbeturinave në nivel lokal, duke shtuar investimet në infrastrukturën e pastrimit.

Thaçi bëri me dije se është nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Korporata Energjetike e Kosovës për projekte infrastrukturore dhe mjedisore. “Ndër projektet kryesore janë ndërtimi i objektit qendror të KEK-ut në Obiliq, krijimi i një rripi të gjelbër dhe instalimi i filtrave në Termocentralin Kosova B, investim që pritet të nisë në muajin prill”, tha ai.

Sipas tij, aktualisht ndotësi më i madh në zonë është Kosova B, ndërsa në Termocentralin Kosova A janë bërë investime vite më parë.

Ai tha se dy shkolla do të kalojnë në sistemin e mësimit gjithëditor, ndërsa në shkollën “Ibrahim Rugova” do të ndërtohet një aneks me 28 klasa të reja.

Sa i përket shëndetësisë, ai paralajmëroi ndërtimin e QKMF-së së re dhe funksionalizimin e repartit të radiologjisë, me synimin që qytetarët të kenë mundësi të kryejnë kontrolle sistematike brenda komunës.

“Marrë parasysh që komuna e Obiliqit është një prej komunave me numrin më të madh të sëmundjeve malinje për kokë banori në Republikën e Kosovës, aktualisht numri është treshifror dhe për mua kjo është shumë shqetësuese”, pohoi ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram