Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, në një konferencë për media ka thënë se gjatë këtij viti do t’i ndajnë 77 milionë euro, në kuadër të ashtu siç e quajti ai, arkitekturës së re për shpërndarjen e mjeteve për mbështetjen e bujqve.
“Arkitektura e re e mbështetjes për bujqësi përfshin tri shtylla themelore: programi për pagesa direkte në vlerë prej 59 milionë euro, programi për zhvillim rural në vlerë prej 10 milionë euro dhe programi për masat e stabilizimit të tregut në vlerë prej 8 milionë euro”, tha Muja.
Muja theksoi se te shtylla e pagesave direkte, rreth 20 milionë euro do t’i dedikohen sipërfaqeve të punuara. Rreth 34 milionë euro do t’i dedikohen lidhjes me prodhimin, pra janë skemat e lidhura me prodhimin.
Ai tha se kësaj radhe fermat e vogla dhe të mesme do të marrin një mbështetje më të madhe, teksa nënvizoi themelimin e skemës së re të quajtur “eko-skema”, e cila do të ndërlidh bujqësinë me mbrojtjen e mjedisit.
“Tek programet e transformimit të bujqësisë, e cila përfshihet në kuadër të programit tonë për zhvillim rural, këtë herë kemi alokuar 10 milionë euro”, tha Muja, teksa shpjegoi se fokusi do të jetë te hortikultura intensive, sektori i pemëve, prodhimi i qumështit, mishit, drithërave dhe vreshtaria, përpunimi.
“E veçanta e skemës së zhvillimit rural kësaj here është që për herë të parë futet një skemë e re për të mbështetur fermerët e rinj. Pra 1000 grante parashihen të jepen për fermerët e rinj në moshë, në mënyrë që të rigjenerohet kuadri ynë i bujqve në Kosovë”, vazhdoi Muja.

