“Jo çdo kthim nga misioni diplomatik, është shkarkim”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kur është pyetur për rastin e shefit të misionit në Vatikan, Vehbi Miftari.
“Unë nuk do ta quaja shkarkim, çdo kthim nga misioni diplomatik nuk është shkarkim. Në diplomaci ka emërime, kthime, ka rrotacion dhe ka nevojë që shërbimi i jashtëm të funksionojë sipas ligjit dhe nevojave të shtetit”, tha para gazetarëve, Haxhiu.
Ajo tha se ka trashëguar një numër të madh lëndësh nga presidentja Osmani, dhe aty ku, sipas saj, gjithçka është në rregull në raport me procedurat, do t’i shtyj përpara.
“Janë bërë tetë emërime, tri lirime dhe tri riorganizime të misioneve konsullore”, tregoi Haxhiu, dhe tha se të gjithë ata që janë të interesuar të marrin më shumë informacione mund t’i drejtohen Presidencës për këtë.
Gjithashtu, Haxhiu foli edhe për çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ajo tha se kur ka pranuar dosjen e KPK-së në raport me kryeprokurorin e ka parë edhe një letër, që e quajti të pazakontë.
“Letra ka ardhur nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj. Pra, Qalaj i drejtohet zonjës Osmani në raport me këtë proces. Ta keni parasysh që u.d. i kryeprokurorit nuk ka të drejtë kushtetuese e ligjore t’i drejtohet presidentit për këtë çështje, vetëm Këshilli Prokurorial. Ai është organi që ka përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të bëjë propozime në raport me këtë çështje. Unë e kam analizuar dosjen dhe i ka kam kthyer letër KPK-së dhe e kam konsideruar këtë proces të mbyllur” tha Haxhiu.
Sipas ushtrueses së detyrës së presidentes, KPK-ja sa më parë duhet të shpallë konkursin.
“Por, duhet të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar si ka qenë më herët, sepse asnjëherë nuk do të dekretohen persona që kalojnë përmes proceseve të komprometuara apo të përgatitura paraprakisht, qysh ka ndodhur në të kaluarën”, tha ajo.
Haxhiu u pyet edhe nëse do të kandidojë në zgjedhjet e 7 qershorit. Për këtë tha se vendosë kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje.
“A do të futem në garë për këtë vendosë kryesia e LVV-së. Do të përpiqem maksimalisht që të jem në përputhje me Kushtetutën e legjislacionin në fuqi. Si kryetare e Kuvendit, si ushtruese e detyrës së presidentes, natyrisht e kuptoj rolin, por duke qenë se mund të jem në garë, ndonëse për këtë vendosin organet e LVV, natyrisht që do të jem e kujdesshme”, deklaroi Haxhiu.

