Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në shenjë proteste për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, e kanë bllokuar rrugën te Katedralja në Prishtinë, me mbishkrimin “Punëtorët/et e ndërtojnë Kosovën që s’iu takon”.
Në reagimin e tyre në facebook thuhet se klasa punëtore ndërton shtetin që iu takon kapitalistëve në publik e privat.
“Punëtorja e punëtori sot përballet me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore e shfrytëzim privato-publik. Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim. Pra, shumica dërrmuese, jetojmë dhe punojmë në kushte që na tëhuajësojnë nga qenësia, puna dhe komuniteti jonë”, thuhet në reagimin e tyre.
Më tej Kolektivi thotë se klasa punëtore është e stërlodhur nga “subjekte të tentativave depolitizuese që vijnë prej lart dhe që duan të na mbajnë të hutuar, të rraskapitur, të varfër dhe të pashpresë”.
“Sot, ne e kemi suspenduar protestën si grumbullim simbolik si pikë reflektimi për të instituar ta kthejmë materialen dhe potencialin ndryshues të protestës, si rezistencë e jona ndaj tentativave për depolitizim të protestës dhe shndërrimit të saj në shëtitje simbolike që më së shumti alienon punëtoren/in që është në qoshe të sistemit. Këtë 1 Maj kumtojmë që është koha që protesta të paraqes prapë rrezik për pushtetin. Për ta bërë këtë, na duhet të besojmë te ndryshimi dhe forca e organizimit tonë si klasë punëtore të të gjitha sektoreve”, vazhdon reagimi.

