Rrjeti u çmontua pas një hetimi njëvjeçar për sulmin ndaj Ruslan Gabasov, një disident rus që luftonte për pavarësinë e Bashkortostanit.Lituania ka njoftuar arrestimin e nëntë personave të dyshuar për planifikimin e atentateve dhe sabotimeve në të gjithë Evropën në emër të shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU të Rusisë. Arrestimet vijnë pas një hetimi të nisur një vit më parë pasi aktivisti Ruslan Gabasov gjeti një pajisje gjurmimi Apple AirTag nën kapakun e makinës së tij. Gabasov mbështet pavarësinë e Bashkortostanit të tij të lindjes (Bashkiria), një rajon kryesisht mysliman në Uralet jugore. Ai iku nga Rusia në vitin 2021 dhe u dënua në mungesë me 14 vjet burg.

Grupi prej nëntë anëtarësh akuzohet për vënien e zjarrit ndaj dërgesave të pajisjeve ushtarake nga Bullgaria në Ukrainë. Ata gjithashtu filmuan objekte ushtarake greke, tha policia. Midis të arrestuarve ishte një burrë në të 50-at, i cili u kap jashtë shtëpisë ku jeton Gabasov me gruan dhe djalin e tij pesëvjeçar. Burri, i cili ka shtetësi greke dhe ruse, ishte i armatosur me një armë.
Magazina të djegura
Në një kohë kur Uashingtoni e zhvendosi fokusin e tij nga lufta në Ukrainë në Lindjen e Mesme, zyrtarët e inteligjencës perëndimore vlerësojnë se qëllimi kryesor i Presidentit rus Vladimir Putin mbetet shpërbërja e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe minimi i lidhjeve diplomatike perëndimore, shkruan New York Times.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, shërbimet e inteligjencës ruse kanë kryer një sërë aktesh sabotimi në Evropë, nga vandalizmi te bombardimet, nga zjarrvënia te komplotet për vrasje. Shënjestrat kryesore janë disidentët rusë në mërgim dhe vendet që e ndihmojnë më shumë Ukrainën. Në Britani dhe Spanjë, u regjistruan zjarre në depo me ngarkesa të destinuara për Ukrainën, në Poloni, u minuan linjat hekurudhore të përdorura për transportin e pajisjeve ushtarake.
Përpjekja më dramatike ishte zbulimi i pajisjeve ndezëse në pako që supozohej të transportoheshin me aeroplanë mallrash të DHL. Dy pajisje u përfshinë nga flakët në Britani dhe Gjermani, dhe një shpërtheu në një kamion në Poloni.

Në Lituani, si pjesë e këtij hetimi, u arrestuan më shumë se dhjetë të dyshuar, kryesisht individë të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse nëpërmjet internetit, duke u premtuar atyre para. Të mërkurën, autoritetet gjermane njoftuan se kishin arrestuar një shtetas kazak të akuzuar për dhënien e informacionit shërbimeve të inteligjencës ruse në lidhje me ndihmën ushtarake gjermane për Ukrainën.
Rrjet i prishur
Nga nëntë të arrestuarit këtë javë, autoritetet lituaneze thanë se rrjeti përfshinte qytetarë të Greqisë, Ukrainës, Rusisë, Gjeorgjisë, Letonisë, Moldavisë dhe Lituanisë. Hetimi “vendosi lidhje të drejtpërdrejta midis autorëve të krimit dhe personave që urdhëruan vrasjet, duke vepruar në interes të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse (GRU)”. Ndër të tjera, ata planifikuan disa vrasje të njerëzve që mbështesnin Ukrainën.

