Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nesër në Washington do të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha botërore për inteligjencën artificiale dhe inovacionin, “Expo AI 2026”, ku do ta prezantojë kryeqytetin.
Ai ka thënë se kjo s’është vetëm një pjesëmarrje protokollare, porse, është dëshmi politike, kombëtare dhe historike se Kosova po zë vend aty ku ndërtohet e ardhmja e botës
“Për dekada, Kosova është parë vetëm përmes luftës, krizave dhe sfidave politike. Nesër, para botës, Prishtina prezantohet ndryshe: si qytet i rinisë; si qendër e inovacionit; si simbol i një shteti që nuk u dorëzua kurrë dhe që sot kërkon vendin e vet në epokën e inteligjencës artificiale”, ka shkruar Rama në Facebook.
Tutje ai ka thënë se ky prezantim është edhe përgjigje për ata që për vite të tëra kanë tentuar ta mbajnë Kosovën jashtë tavolinave ndërkombëtare, duke theksuar se Prishtina prezantohet para botës me identitet, me vizion dhe me ambicie.
“Washingtoni nesër nuk do të dëgjojë vetëm për një kryeqytet. Do të dëgjojë për një popull që nga rezistenca arriti te inovacioni. Nga mbijetesa te përfaqësimi global. Nga historia e dhimbshme te ambicia për të qenë pjesë e botës së së ardhmes”, ka shkruar i pari i Prishtinës.

