Partia Demokratike ka mbajtur këtë mbrëmje protestën kombëtare, e cila është e disata për këtë vit që nga fillimi i serisë së protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tubimi ka nisur rreth orës 19:30 në sheshin para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zgjati mbi 2 orë.
22:00-Gjatë përplasjes mes policisë dhe protestuesve këta të fundit kanë hedhur molotov, lëndë piroteknike dhe sendeve të forta. Nga sulmi i protestuesve u lënduan tre punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën.
21:15-Policia ka hedhur ujë në drejtim të kreut të PD-së, Sali Berisha, në protestën që po mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit.” Teksa protestuesit kishin nisur marshimin drejt Ministrisë së Brendshme, forca të shumta policie u kanë hedhur gaz lotsjellës dhe ujë. Ashtu siç shihet edhe në video, autoboti me ujë është drejtuar nga kreu i PD-së Berisha ndërsa disa protestues janë afruar me çadra për ta mbrojtur.
21:09-Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së policisë gjatë protestës së opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke akuzuar qeverinë për pengim të të drejtës kushtetuese për protestë.
“Edhe bulevardin e ka marrë Belinda dhe Edi Rama. Policia po zbaton urdhra të paligjshëm.”Ai shtoi një sërë pyetjesh drejtuar forcave të policisë: Në çfarë vendi të botës del policia për të penguar një protestë paqësore? Si zbatoni urdhra të paligjshëm? Nga kush i merrni urdhrat? Pse provokoni dhe bllokoni rrugën? A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm? Shkoni dhe arrestoni Belinda Ballukun dhe Edi Ramën, ata që kanë vjedhur shqiptarët, jo qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit”, theksoi Bardhi.
21:00-Deputeti demokrat Flamur Noka, i pranishëm në protestën e opozitës, është përfshirë në një përplasje me Policinë e Shtetit, duke i kërkuar që të mos ndalojë marshimin drejt Ministrisë së Brendshme. Gjatë protestës, ai deklaroi se e drejta e protestës është një e drejtë kushtetuese dhe akuzoi urdhër-dhënësit e policisë, ndërsa efektivët i cilësoi si “viktima të politikës”.
“E drejta e protestës është e drejtë kushtetuese. Në paligjshmëri janë urdhër-dhënësit e tyre, këta policët e thjeshtë janë viktima të bandës së pushtetit. Asgjë nuk e ndal marshimin tonë“, tha ai.
20:50-Në një lidhje të drejtpërdrejt, gazetarja e RTSH-së thekson se Policia nuk i lejon protestuesit të vazhdojnë marshimin drejt Ministrisë së Brendshme. “Nuk dihet sa do të rezistojnë demokratët. Ndërkohë, protestuesit po vazhdojnë të shpërndahen pasi makina e policisë është afër tyre. Ndërsa kreu i PD është në krye të protestuesve, pavarësisht përballjes me policinë” tha ajo.
20:30-Protestuesit e udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike kanë qëndruar për rreth 1 orë para Kryeministrisë ku është denoncuar me megafon nga demokratët, keqqeverisja e kryeministrit Edi Rama.
Më pas protestuesit kanë marshuar përgjatë Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ ku janë përballuar me policinë dhe janë ndeshur në gazin lotsjellës dhe botet e ujit. Nga ana e tyre protestuesit kanë lëshuar molotov në drejtim të Policisë.
19:31 – PD mban protestën kombëtare para Kryeministrisë
Partia Demokratike e Shqipërisë mban këtë mbrëmje protestën kombëtare, e cila është e disata për këtë vit që nga fillimi i serisë së protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tubimi ka nisur rreth orës 19:30 në sheshin para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ashtu siç raporton nga selia e Partisë Demokratike, gazetarja Radio Televizionit Shqiptar, Anisa Kadesha bëhet e ditur se në sheshin para Kryeministrisë nuk është vendosur foltore e improvizuar siç ka ndodhur në protestat e mëparshme. Sipas gazetares Kadesha, strategjia e protestës së opozitës pritet të jetë në formën e marshimit siç ka ndodhur në disa nga protestat e mëparshme.
“Duket se skenari dhe strategjia e protestës së opozitës do të jetë një marshim proteste e fokusuar në ecje përgjatë rrugëve të Tiranës të cilat në fakt Partia Demokratike është treguar hermetike për t’i bërë publike”, u shpreh gazetarja Kadesha.
Në marshimet e mëparshme protestuesit kanë protestuar duke e shoqëruar me goditje ndaj institucioneve shtetërore me objekte të ndryshme.
“Duke iu referuar protestave të kaluara, pritet që Berisha të japë mesazhin e tij në Partinë Demokratike në përfundim të gjithë marshimit të saj. Selia blu ka qenë hermetike edhe për këtë protestë që të japë detaje në lidhje me organizimin, cilat do të jenë rrugët që do të përshkohen dhe cilat do të jenë institucionet që do të protestojnë”, tha gazetarja Kadesha, e cila shtoi se protesta pritet të zgjasë “2 deri në 3 orë megjithëse kushtet atmosferike nuk janë shumë në favor për shkak të reshjeve të shiut. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosin drejtuesit e Partisë Demokratike”.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha bashkë me deputetë të tjerë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
Protesta fokusohet kryesisht te akuzat për korrupsion të lartë, keqqeverisje, çmime të larta, krizën ekonomike, emigracionin masiv dhe izolimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ndërkaq policia e Shtetit ka marrë masat e sigurisë rreth zonës së Kryeministrisë, ku është paralajmëruar bllokim i pjesshëm i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugëve përreth, ndërsa lëvizja dhe parkimi janë të kufizuara.

