Sunday, May 10, 2026
HomeEkonomiAlarmojnë faermerët, sektori i qumështit përballet me krizë të thellë

Alarmojnë faermerët, sektori i qumështit përballet me krizë të thellë

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHQPK) ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar në sektorin e qumështit, duke paralajmëruar pasoja serioze ekonomike për fermerët vendorë. Sipas përfaqësuesve të shoqatës, një pjesë e konsiderueshme e qumështit po mbetet pa u grumbulluar, ndërsa çmimi i blerjes ka shënuar rënie deri në 30 për qind.

Shqetësimet u diskutuan gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të SHQPK-së, ku fermerët raportuan për vështirësi të shtuara në menaxhimin e prodhimit dhe mbijetesën financiare të fermave. Ata theksuan se situata aktuale po rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë zinxhirit të furnizimit me qumësht në vend.

Në njoftim thuhet se pjesën e dytë të takimit morën pjesë edhe përfaqësues institucionalë, përfshirë ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, si dhe drejtues të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

“Gjatë diskutimeve u analizuan sfidat me të cilat po përballen prodhuesit, përpunuesit dhe tregu i qumështit, ndërsa u shpreh shqetësim i veçantë për ndikimin që mosgrumbullimi i qumështit mund të ketë në ekonominë rurale dhe sigurinë ushqimore”, theksohet në njoftim.

Sipas SHQPK-së, ministri Muja ka premtuar ndërmarrjen e masave konkrete për stabilizimin e tregut, mbështetjen e fermerëve dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Shoqata shprehu pritshmëri që institucionet të reagojnë me shpejtësi për të parandaluar përkeqësimin e mëtejmë të situatës.

“Besojmë dhe shpresojmë se hapat konkretë të zotuar sot do të kontribuojnë shpejt në zgjidhjen e kësaj situate dhe në rikthimin e stabilitetit në fermat tona”, thuhet në reagimin zyrtar të SHQPK-së.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram