Policia e Kosovës, sikurse në çdo raport ditor, ka raportuar edhe sot për disa raste të ndërlidhura me blerje, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike në disa rajone të vendit, ku janë arrestuar dhe ndaluar persona të dyshuar.
Në Fushë Kosovë, në rrugën “Haxhi Zeka” rreth orës 20:15, policia ka ndaluar një automjet me targa vendore të drejtuar nga një i dyshuar mashkull kosovar. Gjatë kontrollit trupor dhe në automjet, është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 64 gramë marihuanë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Viti, në rrugën “Sherif Frangu” rreth orës 19:35, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit u është gjetur një sasi prej 5.99 gramë marihuanë si dhe një grinder. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është regjistruar me numër 2026-XI-DKKO-HTN-GJI-22.
Në Kamenicë, në fshatin Rogoqicë rreth orës 17:30, dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë kontrolluar nga policia, ku është gjetur dhe konfiskuar 4.70 gramë marihuanë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti është regjistruar me numër 2026-XI-DKKO-HTN-GJI-21.
Ndërsa në Ferizaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” rreth orës 14:00, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në trup dhe në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar 58.04 gramë marihuanë, si dhe një telefon celular dhe 730 euro. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës po vazhdon hetimet lidhur me këto raste.
Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar–nëntor 2025 janë arrestuar gjithsej 893 persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me narkotikë.
Sa i përket konfiskimeve, gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar rreth 1332 kilogramë lëndë narkotike, prej tyre 1.52 kg heroinë, 1310 kg marihuanë, 19.5 kg kokainë dhe sasi më të vogla të hashashit, farave të kanabisit dhe drogës ekstazi. Përveç këtyre, janë konfiskuar edhe 6,587 bimë kanabisi në njësi të veçanta.

