Zëvendëskryeministri i parë, e kryediplomati kosovar, Glauk Konjuca e ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në të gjitha kohërat.
Konjufca në konferencë për media pas takimit me shefen e diplomacisë shqiptare, Elisa Spiropali është shprehur i bindur se koordinimi mes dy shteteve do të fuqizojë përpjekjen e Kosovës për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës, edhe për përafrimin dhe anëtarësimin drejt NATO-s dhe në organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
“E falënderova Spiropalin si gjithnjë për mbështetjen e deritashme që Republika e Shqipërisë ia ka ofruar Republikës së Kosovës dhe shtetndërtimit tonë, por edhe përfaqësimit të interesit tonë në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjet për anëtarësimet tona në organizata të rëndësishme. Jam i bindur se koordinimi ynë do ta fuqizojë përpjekjen e Kosovës për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës edhe për përafrimin tonë dhe anëtarësimin tonë drejt NATO-s dhe në organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, tha ai.
Konjufca shtoi se e ardhmja e Kosovës dhe e Shqipërisë do të jenë të lidhura përgjithmonë.
“Sa më i fortë që të jetë koordinimi ynë aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian”, shtoi Konjufca.
Kryediplomati kosovar ka përgëzuar Shqipërinë për hapat gjigand që tha se i ka bërë sa i përket integrimeve evropiane.
“Ne duam ta japim po ashtu të njëjtin shembull si Shqipëria. Prandaj gjithnjë bashkëpunojmë drejt përmbushjes së aspiratave të kombit shqiptar”, deklaroi Konjufca në konferencën e përbashkët me homologen nga Shqipëria.

