Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “privim i kundërligjshëm nga liria” në fshatin Duhël të Suharekës.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më 29 prill 2026, kur të dyshuarit dyshohet se fillimisht kanë sulmuar fizikisht dy viktima meshkuj, e më pas, pa dëshirën e tyre, i kanë futur në një veturë dhe i kanë dërguar në një kafiteri.
Më 16 maj 2026, policia ka arritur të arrestojë tre të dyshuarit lidhur me këtë rast.
Gjatë kontrollit në tri lokacione të ndryshme që lidhen me të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar një palë pranga dhe një shufër metalike.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

