Më 19 maj, në Prishtinë, nën patronatin e Qeverisë Kosovës, do të mbahet “Forumi i parë Agro-ushqimor Itali–Kosovë 2026”, një ngjarje e rëndësishme që do të mbledhë institucione, biznese dhe operatorë ekonomikë nga Italia dhe Kosova, me synim forcimin e bashkëpunimit tregtar në sektorin agro-ushqimor.
Forumi synon të krijojë marrëdhënie të strukturuara dhe afatgjata mes sistemit agro-ushqimor italian dhe tregut kosovar, duke ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim konkret ndërmjet dy vendeve.
Kjo iniciativë vjen si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Kosovës në Romë dhe Shoqatës Italiane të Kultivuesve (AIC), e cila është edhe organizatore kryesore e forumit dhe e angazhuar në promovimin e zinxhirëve bujqësorë dhe produkteve “Made in Italy” në tregjet ndërkombëtare. Në këtë projekt janë të përfshira edhe institucionet kosovare, duke e bërë bashkëpunimin një element strategjik për zhvillimin ekonomik.
Kontribut të veçantë në këtë forum do të japë edhe AICO, e cila do të trajtojë çështje që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë ushqimore dhe informimin e saktë për produktet. Në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, do të diskutohen mekanizmat e kontrollit për produktet hyrëse dhe eksportet.
Në kuadër të forumit do të organizohen punëtori specifike mbi etiketimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë me standardet rregullatore – elemente kyçe për eksportin e produkteve agro-ushqimore dhe ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme tregtare.
Në hapjen e këtij forumi pritet të marrin pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, si dhe ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini.
Po ashtu, pjesë e forumit do të jetë edhe Nicola Caputo, këshilltar për eksport dhe ndërkombëtarizim i zinxhirit agro-ushqimor pranë Ministrisë së Jashtme të Italisë, si dhe përfaqësues të AIC dhe ekspertë të ekonomisë e tregtisë ndërkombëtare.

