Kosova po vazhdon procesin e ndërtimit të kapaciteteve të saj ushtarake, paralelisht me përpjekjet për njohje të plotë ndërkombëtare, shkruan Bloomberg në një artikull kushtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës, e ku ka intervistuar ministrin në detyrë të mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Sipas artikullit, Kosova ka investuar rreth 1 miliard dollarë në krijimin e ushtrisë së saj, ndërsa deri tani ka siguruar sisteme armatimi në vlerë prej rreth 460 milionë eurosh. Maqedonci i ka cilësuar këto investime si “hapa shumë, shumë të mëdhenj” drejt krijimit të një force të gatshme për mbrojtjen e vendit dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka bërë të ditur se synimi është që Forca e Sigurisë së Kosovës të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një sistem rezervistësh mbi baza vullnetare. Sipas tij, ushtria planifikon të zhvillojë kapacitete të mbrojtjes ajrore, artileri dhe helikopterë ushtarakë.
Artikulli rikujton se Maqedonci ka veshur tri uniforma gjatë 27 viteve të fundit: si pjesëtar i luftës për çlirimin e Kosovës, më pas në një forcë humanitare dhe tani si ministër i mbrojtjes që udhëheq transformimin e forcës ushtarake të vendit.
“Tri uniformat janë të vendosura në zyrën e tij në kompleksin e ministrisë në Prishtinë dhe simbolizojnë kompleksitetin e ndërtimit të një ushtrie në një shtet me njohje të kufizuar ndërkombëtare”, shkruan Bloomberg, duke theksuar se paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO vazhdojnë të luajnë rol kyç në ruajtjen e stailitetit.
Sipas Maqedoncit, ushtria e Kosovës po ndërtohet si forcë “e gatshme për të mbrojtur Kosovën, qytetarët e saj dhe për të bashkëpunuar me partnerët”.
Artikulli thekson se transformimi i FSK-së në ushtri nisi tetë vjet më parë me mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
Bloomberg shkruan se Kosova tashmë posedon disa lloje dronësh dhe sisteme kundërtanke, ndërsa planifikon të sigurojë kapacitete të mbrojtjes ajrore, artileri 155 milimetërshe dhe helikopterë ushtarakë Sikorsky UH-60 Black Hawk.
Po ashtu, artikulli vë në pah se Kosova po nënshkruan marrëveshje bilaterale ushtarake me shtete anëtare të NATO-s, kryesisht me SHBA-në dhe Turqia, për avancimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Ndërtimi i ushtrisë së Kosovës mbetet çështje e ndjeshme politike për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm nga Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Bloomberg citon shefin e Shtabit të Ushtrisë serbe, Milan Mojsilovic, i cili ka deklaruar se KFOR-i mbetet “formacioni i vetëm legjitim i armatosur” në Kosovë.
Në fund, artikulli citon analistin e International Crisis Group, Marko Prelec, i cili vlerëson se prioritet duhet të mbetet arritja e një marrëveshjeje afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

