Wednesday, May 20, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu:Njohja e AKA nga SHBA, arritje e madhe për arsimin e lartë...

Haxhiu:Njohja e AKA nga SHBA, arritje e madhe për arsimin e lartë në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e organizuar me rastin e njohjes së Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se është kënaqësi të jetë pjesë e këtij eventi për të shënuar një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë.

Sipas saj, kjo njohje jep besueshmëri punës akademike dhe forcon besimin në institucionet e vendit.

“Njohja e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arritje e madhe për institucionet tona, për universitetet tona, për profesorët, për studentët dhe për secilën familje, që e sheh arsimin si udhën më të ndershme drejt përparimit”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, arsimi i lartë është një prej mënyrave më fisnike me të cilat një vend e përgatit të ardhmen e tij.

“Në universitet shoqëria mëson të mendojë më kthjellët, të gjykojë më drejt dhe ta kthejë dijen në zhvillim”, ka thënë ajo.

Ajo theksoi se besimi në arsimin e lartë është i çmuar, pasi lidhet me vlerësimin e punës së studentëve, profesorëve dhe institucioneve.

“Prandaj, besimi në arsimin e lartë është kaq i çmueshëm. Sepse, kur i besohet diplomës i besohet edhe mundit të studentit, edhe punës së profesorit, edhe institucionit që e ka dhënë atë diplomë. Ashtu matet edhe serioziteti i shtetit ndaj dijes, ndaj meritës por edhe ndaj cilësisë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se kjo njohje është dëshmi e rritjes së besueshmërisë ndërkombëtare të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Ajo është dëshmi se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka hyrë në një rreth më të gjerë besueshmërie, ku cilësia nuk shpallet vetë, por vlerësohet nga të tjerët. Besimi i partnerëve ndërkombëtarë tregon se Kosova po ndërton standarde të krahasueshme me botën demokratike dhe akademike dhe kur flasim për standardet duket sikur po flasim për rregullat teknike, por ato janë gjuha me të cilën një shtet i thotë qytetarit: Mundi yt do të njihet dhe dija jote do të vlejë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo falënderoi Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ekipet profesionale dhe Ambasadën e SHBA-së për mbështetjen.

“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet, që është dëshmuar në momentet më vendimtare të historisë sonë. Sot ky partneritet po shihet edhe në fusha, që ndërtojnë të ardhmen e Kosovës, në arsim, në cilësi, në kapacitete profesionale dhe në besimin që institucionet tona fitojnë jashtë vendit”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Në fund, ajo tha se kjo arritje duhet të shërbejë si hap drejt forcimit të mëtejshëm të arsimit të lartë në Kosovë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram